Vazhdon katrahura e futbollistit shqiptar të Jang Bojsit

48 Lexime

13:58:30              2017-09-22

 

 

“Javën e kaluar operova gishtin e këmbës, lëndim që e kisha prej më herët por që me stafin mjekësor tentuam me terapi ta shërojmë, por doli pa sukses. Me rekomandim të stafit mjekësor të Jang Bojsit, vendosëm ti nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjike. Falë Zotit operacioni kaloi me sukses, por do të mbetem jashtë fushave për tre muaj, derisa pritet të rikthehem në fund të këtij viti”, pohon për KOHA, Seferi

Bujar KURTAJ

Para 3 viteve Taulant Seferi erdh si një përforcim i madh për Jang Bojsin nga skuadra e Rabotniçkit, mirëpo lëndimet dhe ndërhyrjet kirurgjike që i kishte, nuk e lejuan që ti demonstrojë aftësitë e mëdha që i ka si futbollist. Sezonin e kaluar arriti të shënojë vetëm dhjetë paraqitje, derisa këtë sezon nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje zyrtare për shkak se javën e kaluar ka pasur një ndërhyrje kirurgjike në gishtin e këmbës. Dhe si rezultat i kësaj, futbollisti kumanovar për gazetën KOHA tha se do ta mbaj atë jashtë fushave të gjelbra për 3 muaj, me një fjalë pjesa e parë e sezonit për atë ka mbaruar.

“Javën e kaluar operova gishtin e këmbës, lëndim që e kisha prej më herët por që me stafin mjekësor tentuam me terapi ta shërojmë, por doli pa sukses. Me rekomandim të stafit mjekësor të Jang Bojsit, vendosëm ti nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjike. Falë Zotit operacioni kaloi me sukses, por do të mbetem jashtë fushave për tre muaj, derisa pritet të rikthehem në fund të këtij viti”, tregon për gazetën KOHA, Seferi.  Ai thotë se ka përkrahje të madhe nga të drejtuesit e Jang Bojsit. “Këtu jam qe tre vite dhe pa marr parasysh se nuk kisha fat me lëndimet, drejtuesit e klubit kanë shumë besim tek unë. Janë me mua pothuajse në çdo hap dhe më këshillojnë që ta mbajë kokën lartë dhe se do të vijnë ditë më të mirë për mua. Ata besojnë në aftësitë e mia dhe kjo më jep kurajë që të mendoj vetëm pozitivisht dhe të pres ditën kur do të rikthehem në fushën e gjelbër”, nënvizoi më tej Seferi.

Jang Bojsi shkon për të fituar ndaj Skënderbeut

20-vjeçari këto ditë është në qendër të vëmendjes tek mediat në Zvicër, por edhe tek klubi i tij duke marr parasysh se skuadra e tij do të ndeshet të enjten e ardhshme me skuadrën e Skënderbeut në kuadër të xhiros së dytë në Grupin B të Liga Evropës. “Prej atij momenti kur në short na rra skuadra e Skënderbeut mediat në Zvicër por edhe në klub më pyesin se për çfarë skuadre bëhet fjalë pasi ata nuk kanë njohuri dhe nuk dinë asgjë. E dinë vetëm se e eliminuan një skuadër siç është Dinamo Zagrebi. Nga informatat që kamë dhe që kam ndjekur paraqitjet e Skënderbeut si dhe me faktin se jam pjesë e Kombëtares së Shqipërisë deri 21 vjeç, u kam thënë se bëhet fjalë për skuadër cilësore dhe më e mira vitet e fundit në Superligën e Shqipërisë. Në Elbasan shokët e mi të skuadrës do të shkojnë vetëm për të fituar  edhe pse e dinë se nuk do të jetë lehtë”, thotë ish-futbollisti i Rabotniçkit dhe Milanos nga Kumanova. 

Nuk vjen në “Elbasan Arena”

Në fund Seferi tha se nuk do të jetë prezent në “Elbasan Arena” për të përcjell nga afër ndeshjen mes skuadrës së tij dhe Skënderbeut. “Nuk do të udhëtojë për në Shqipëri, pasi jam në fazën rikuperuese, por sigurisht se do ta përcjell ndeshjen nga televizioni”, përfundoi Taulant Seferi, i cili humbi një mundësi të mirë, që të përballet kundër ish-shokut të tij Suad Sahiti, me të cilin ka luajtur te Rabotniçki, ndërsa tani ai është pjesë e Skënderbeut, por edhe kundër skuadrës ku drejtor sportiv është Haris Fakiç, të cilin Seferi e ka menaxher bashkë me Shkumbin Qormemetin. Në fakt këta të dy e realizuan transferimin e tij te skuadra zvicerane. (KOHA.MK)