Vazhdon golgota e arsimtarëve shqiptarë në Komunën e Zelenikovës

77 Lexime

19:42:00                       2017-04-02

 

 

 

 

Prej vitit 2011 Komuna e Zelenikovës nuk ka paguar asnjë denarë për transportin e 6 mësimdhënësve të cilët punojnë në fshatrat Smesnicë, Dikavec, Gumalevë, Tisovicë dhe Vërzhallë. Transporti i tyre është i organizuar vetëm deri në Zelenikovë dhe fshatin Strugudicë, ndërsa më pas mësuesit janë të detyruar që në këmbë, me tren, traktorë ose në formë tjetër të arrijnë deri në shkollat ku ligjërojnë. Mësimdhënësit shprehen të revoltuar.

 

 

 

 Asnjëherë nuk i janë përmbajtur ligjit ata, e kanë bë si paushall njëfarë pagese se ligji është konkret, aty shkruan me kilometra se sa duhet me pagu në kilometër, mirëpo e kanë marr një mesatare, afër 2600 denarë. Prej vitit 2011, a çdo herë i kemi mar ato pagesa, mirëpo si erdhi garnitura, konkretisht i prefektit me emër dhe mbiemër, Vele Gruevski edhe drejtoresha Daniella, do ti konkretizoj emrat që të dihet sepse ka pas ndryshime në drejtori. Edhe pse i kemi dhënë në gjyq, ju e dini se gjyqësia si funksionon, gjyqi është i partizuar edhe atje lëndën prej Shkupit na e dërguan në Shtip – thotë Mexhit Etemi, mësues në fshatin Smesnicë.

 

 

 

Mësuesi Sefedin Dushkaja për çdo ditë udhëton nga Hasabegu për në Smesnicë. Ai thotë se transporti hekurudhor është zgjidhja e vetme për të arritur deri në fshat, mirëpo edhe për këtë transport ata paguajnë nga xhepi i tyre.

 

 

 

 Hasim edhe në një probleme tjerë se ndonjëherë edhe komunikacioni hekurudhor që vijmë ne në punë bëjnë grevë, kështu që jemi të detyruar të vijmë me veturat tona, mu organizuar edhe me ardhur këtu se shumë kemi problem. Kemi apeluar edhe te drejtoresha, tash kjo u zgjedh drejtoreshë e re, edhe asaj i kemi tregu, ato nuk marrin kurrfarë hapa me krye këtë punë që ne ti kemi ato pagesat tona që neve na takojnë – thotë Sefedin Dushkaja, mësues në fshatin Smesnicë.

 

 

 

Nga Komuna e Zelenikovës thonë se rastin me mospagesën e mësimdhënësve do ta shqyrtojnë së shpejti. Në shkollën periferike “Marko Cepenkov” të fshatit Smesnicë mësojnë 19 nxënës në paralele të kombinuara. Shkolla në fjalë përballet edhe me kushte jo të përshtatshme për mësim, mungesë të tualeteve, kompjuterëve dhe shumë mjeteve të ndryshme për mësim. Për shkak të mungesës së kushteve për jetë në këtë fshat shumë familje janë shpërngulur në Komunën e Sudeniçanit dhe në Shkup. Melihate Rustemi (ALSAT-M)