Vallë, po frikësohet Turqia t`i dënojë xhihadistët shqiptarë nga Zvicra ?!
09:28:28 2016-01-24
Çendrim R. nga Bruggu i Zvicrës, dyshohet se në Turqi ka kryer një atentat. Por, procesi gjyqësor ndaj tij hapë shumë pyetje pa përgjigje.
Të mërkurën. Çendrim R. (24) është dashur të paraqitet edhe një herë para trupit gjykues në Gjykatën rajonale në Nigde të Turqisë. Shqiptari i cili është rritur në Brugg të Zvicrës dhe familja e të cilit ende jeton atje, i ishte bashkuar milicëve terroristë të Shtetit islamik dhe në muajin mars të vitit 2014 kishin sulmuar një pikë kontrolli policor në Turqi.
Procesi në Nigde është procesi i vetëm juridikisht i përpunuar ndaj sulmeve terroriste të Shtetit islamik në Turqi. Pasi me këtë rast janë vrarë nëpunës policorë, ai vlerësohet si shumë sensibilizues. Tashmë disa herë, seancat ndaj Çendrim R. dhe dy bashkëpunëtorët e tij, gjysmëkinezin nga Berlini, Benjamin Xu dhe shtetasin maqedonas Muhammad Zakiri, ishin prolonguar. Prokuroria turke kërkon burgim të përjetshëm për veprën penale „vrasje e shumëfishtë“. Të mërkurën është dashur të sillet vendimi përfundimtar.
Por, seanca përsëri është prolonguar, ndërsa sipas medieve turke, termini ri është caktuar për 17 mars. Si arsyetim të kësaj, gjykatësi ka pohuar se ekpertizat e nevojshme ligjore ende nuk janë përfunduar. Tre të dyshuarit, edhe kësaj radhe nuk kanë qenë të pranishëm në sallë e gjykatës, njësoj si edhe në katër seancat e mëhershme, por janë inkuadruar në seancë përmes videos. Vallë, a kanë qenë të pranishëm në këtë proces, apo ishte vetëm një arsyetim fallso i gjykatës, pasi për herë të parë ata shihen në video, të ulur e të heshtur.
Vëzhguesit e procesit gjyqësor, kanë parashtruar pyetjen nëse të dyshuarit janë në burgun e sigurisë së lartë në Ankara, apo janë këmbyer me pengjet turke të Shtetit islamik dhe tani gjenden në përsëri në Siri. „Dyshimet janë të mëdha“, ka deklaruar reporteri gjyqësor, Serkan Saglam nga gazeta turke „Zaman“: „Kësaj radhe ata janë parë në video, por nuk i janë përgjigjur asnjë pyetjeje dhe nuk kanë treguar reagim ndaj pyetjeve, njësoj sikur të mos kenë dëgjuar asgjë“.
Dhe kjo nuk ishte çudia e vetme në këtë proces: Pesë gjykatës ishin ndërruar, dëshmitarë të rëndësishëm nuk ishin ftuar dhe seanca është prolonguar për shkak të situatës së rëndë parazgjedhore parlamentare në Turqi. Zhvillimi i procesit të parë gjyqësor ndaj Sjtetit islamik, në Turqi ka hapur shumë dyshimë nëse sistemi gjyqësor me qëllim është duke e vonuar dhe penguar zhvillimin e seancës, ka shkruar revista e specializuar amerikane për Lindjen e Afërt, „Al-Monitor“, njofton „Shtegu.com“.