18:30:01 2019-01-27
Sipërmarrësi Frédéric Dole, në Haut-Doubs të Francës kishte punësuar një shtetas të Kosovës për dy vite. Tani, Zyra franceze e migrimit dhe integrimit OFII nga ai kërkon 10,000 euro pasi ai ka punësuar një punëtor pa dokumente, shkruajnë mediat franceze, transmeton Shtegu.com.
Historia e familjes Hysni ka lënë mbresa të mëdha në qytetin Levier, në Haut-Doubs. Pasi, pas disa përpjekjeve për dëbim, familja nga Kosova është dashur të largohet nga rrethina. Dhe tani, ish punëdhënësi i tij duhet të paguajë një gjobë prej gati 10,000 eurosh për Zyrën franceze të migrimit dhe integrimit (OFII) për punësimin e një punëtori pa leje përkatëse.
„Kur në vitin 2014 Ahmedi arriti në Francë, ai erdhi të më takonte menjëherë. Ai thjesht donte të gjente punë dhe të integrohej“, i përkujton ato momente Guy Magnin-Feysot, kryebashkiak. „E pyeta Frederic Dole, një asistent, nëse mund ta punësonte atë në kompaninë e tij. Pak muaj më vonë, ai nënshkroi një kontratë të përhershme. Historia e bukur vazhdoi. Djali i tij 4-vjeçar ka vijuar shkollimin në shkollën lokale dhe bashkëshortja e tij ndihmonte shoqatat lokale. Pas disa muajve, Ahmed u konsiderua si „një nga punonjësit më të mirë të sipërmarrjes“.
Mirëpo, kjo gjendje do të përfundojë papritmas në mars të vitit 2018. „Policia erdhi në sipërmarrje për ta kërkuar atë“, thotë Frédéric Dole. Babai i familjes kosovare largohet nga stacioni policor, por me urdhër që të largohet nga territori francez, së bashku me gruan dhe fëmijën, pasi të gjitha kërkesat e tij për azil ishin refuzuar, informon Shtegu.com. Një thyerja zemre për kryebashkiakun dhe banorët e tij. „Atje, ata nuk janë më statistika. Ato janë fytyra, të njohura për të gjithë ne“, thotë kryebashkiaku i zhgënjyer. Dhe, për t`u bërë situata edhe më e keq, disa muaj më vonë, ish punëdhënësi i tij pranon një letër nga OFII duke kërkuar nga ai 9,538 euro. „Unë tashmë një herë isha i dënuar nga gjykata, mendova se rasti kishte përfunduar Ahmedi kishte një sigurim personal, licencë, gjithçka ishte bërë sipas rregullave. Gjatë kësaj periudhe kam paguar 12,862 euro në kontributet e sigurimeve shoqërore“. Një gjobë që ai e konsideron „të papranueshme“. „Kam angazhuar edhe një avokat që ka bërë një kërkesë për anulim, por këto janë tarifa shtesë. Dhe përtej aspektit financiar, nuk e kuptoj pse shteti po lufton kundër kësaj familjeje“.
Tani për tani, kundër këtij vendimi është inicuar një peticion. Ai tashmë ka më shumë se 400 nënshkrues. „Gjëja më e keqe është se ai ka mundur ta punësonte `në të zezë` dhe nuk do të kishte pasur të njëjtat probleme“, thotë kryebashkiaku.
Nga ana tjetër, Ahmedi është larguar nga komuna dhe jeton duke u fshehur me familjen e tij, duke pasur frikë nga dëbimi.

