U arratis në Francë se e përkrahi lëvizjen LBGT, tani rrezikohet të dëbohet
16:42:32 2019-04-04
Kamela Imeri u arratis në Francë në qershor të vitit 2017, me bashkëshortin e saj, pasi u largua nga Shqipëria ku, sipas saj, ekziston një klimë homofobike. Për anëtarësimin e saj në lëvizjen LGBT, Kamela Imeri pretendon të ketë qenë viktimë e diskriminimit, ngacmimeve dhe madje kërcënimeve me vdekje.
Kamela Imeri ishte 18-vjeçare, në vitin 2016, kur ajo filloi studimet e ekonomisë bujqësore në Universitetin e Tiranës. Çdo gjë dukej se po shkonte për të mirë në rrugën që kishte planifikuar, shkruan „France 3“, përcjell Shtegu.com. Deri në ditën që ajo do ta ndiqte rrugën e Xheni Karaj. Të dy vajzat bëhen mikesha, Kamela e fton ate ta ndajnë banesën e saj. Xheni Karaj, është një figurë emblematike shqiptare e lëvizjes LGBT. Mikesha i tregon asaj për jetën e vështirë të homoseksualëve në Shqipëri.
E prekur nga rrëfimi i saj, Kamela Imeri u bashkua me shoqatën shqiptare të LGBT, për të ndihmuar dhe mbështetur çështjen e homoseksualëve në Shqipëri. Ajo merr pjesë rregullisht në ngjarje, shpërndan broshura.
Rreth saj, në universitet, në rrugë, mes miqve të saj, shkaktohet moskuptim. „Njerëzit mendonin se isha lesbike dhe më ofendonin“. Kamela është ngacmuar dhe diskriminuar, madje edhe nga disa mësues.
Pak më vonë takon Kreshnikun, bashkëshortin e saj të ardhshëm. Ai rrjedh nga një fshat ku traditat kanë mbetur shumë të forta. „Këtu, fjala e prindërve është më e fortë se çdo gjë, më e fortë se ligji“. Babai i Kreshnikut nuk pranon marrëdhënien e djalit të tij me Kamelën, i thotë asaj të „gjejë një tjetër që është më i mirë“.
Dhe babai nuk dëshiron që kjo marrëdhënie ta çnderojë familjen e tij. Më vonë, në vitin 2017, kur Kamela mbeti shtatzënë, babai e kërcënoi: „Duhet ta ndërpresësh shtatzaninë. Nëse dëshiron të mbetesh biri im, bëje atë që të them“. Por, Kreshniku e refuzoi babain duke vazhduar të mbështesë bashkëshorten e tij. Kërcënimet e prindërve kishin shkuar deri në kërcënime me vdekje, thotë Kamela.
Në qershor të vitit 2017, çifti lë Shqipërinë dhe kërcënimet, për t`u përpjekur që të gjejnë një jetë normale, diku tjetër në ndonjë vend europian. Pak si me rastësi, ata arrijnë në Mulhouse, ku një kosovar posedon një apartament që ua jep me qira për 200 euro, njofton Shtegu.com. Në nëntor të vitit 2017, pak pas lindjes së vajzës së tyre, çifti kërkoi azil. Parashtresa refuzohet më 21 dhjetor të vitit 2018. Më pas ata detyrohen të largohen nga apartamenti i vënë në dispozicion nga Cada (Qendra e strehimit për azilkërkuesit).
Kamela, me besim në vetveten, pavarësisht nga vështirësitë e saj, nuk e ka ndërmend ta ndalojë luftën e saj kundër homofobisë. Në Mulhouse, ajo hasi në mirëkutpim të shoqata franceze „L`Hetre“, që ndihmon homoseksualët dhe transeksualët. Por, në një situatë që është e pasigurt, çifti mund të përfundojë në rrugë nëse askush nuk iu vjen në ndihmë. Ndërkohë, Kamela nuk e humb shpresën dhe është duke përgatitur një parashtresë për të paraqitur një aplikim të dytë të azilit pranë Ofpra-s.
Shqipëria dekriminalizoi homoseksualitetin në vitin 1995, por sipas një sondazhi të dhjetorit të vitit 2017, në një raport të UNDP-së, 76 për qind e njerëzve në komunitetin LGBT kanë thënë se janë ngacmuar. Sipas të njëjtit sondazh, 92 për qind e shqiptarëve thonë se nuk duan të kenë marrëdhënie me njerëz nga komuniteti LGBT dhe 48 për qind e shqiptarëve e konsiderojnë homoseksualitetin si një sëmundje.