Tragjedi e rëndë në familjen Berisha nga Shkupi

46 Lexime

21:20:10            2016-06-01

 

 

 

 

Më 31 maj, një tragjedi e madhe e kaploi familjen Berisha nga Shkupi. Ende pa i mbushur të pesëdhjetat, të martën ka ndërruar jetë Gani Berisha nga Gazi Baba, familje kjo për të cilën ditë më parë Agjencia e Lajmeve Zhurnal kishte raportuar se lokja 80-vjeçare është duke u kujdesur për dy fëmijët e saj invalidë. Varrimi i të ndjerit është bërë sot (e mërkurë) në fshatin Bllacë të rrethinës së Shkupit.

Agjencia e lajmeve Zhurnal ka vizituar shtëpinë e familjes Berisha, një shtëpi dykatëshe, fshehur në rrugicat e Gazi Babës, ku humbesh, nëse nuk të ndihmojnë. Dhe çdokush të ndihmon, sepse të gjithë e dinë shtëpinë e tyre, tani pasi me vite kanë jetuar vëllezërit invalidë Berisha që për ta është kujdesur nëna e tyre 80 vjeçare, Bedrie Berisha.

Në oborr qëndron nëna Bedrie, e cila pret njerëz për t`i dhënë ngushllime për djalin e saj që vdiq për shkak të sëmundjes së rëndë. Me zë gati të mbytur ajo rrëfen për fatin e djemve të saj, të cilët lindën me një sëmundje të rëndë të muskujve dhe deri në vdekje asnjëherë nuk u ngritën në këmbë. Nëna Bedrie e qanë pandërprerë djalin e saj Ganiun i cili të martën ndërroi jetë.

“Nuk kam çfarë të them, mua Ganiu më vdiq në prehër. Djemtë e mi invalidë çdo ditë i kam ushqyer dhe i kam pastruar. Por Allahu deshi dhe mori sot, tash e kam mbuluar me çarçaf. Nuk do ta dëgjoj Ganiun më te kjo shtëpi të më thërret nënë, nënë,”- thotë nënlokja Bedrije(80 vjeçare) me zë të mbytur dhe largohet për të qëndruar vetëm.

Një nënë e shkatërruar si nënlokja Bedrie me brengë në shpirt, një vëlla që kërkon Ganiun që vdiq sot dhe vëllezërit tjerë, të luajë si më parë dhe heshtja që bërtet Gani, Adem, Rushit; është kjo, e sotmja, e familjes Berisha nga Gazi Baba e Shkupit e cila nga dita e mërkurë do të fillojë një jetë të re vetëm me nënloken Bedrie dhe djalin e saj të vetëm invalid, Abazin. (ZHURNAL.MK)