Suksesi i trajnerit Ervin Gashi në shtypin zviceran
21:07:29 2016-05-31
Në një artikull të gjatë, e përditshmja zvicerane „Berner Oberländer“ i ka dhënë edhe njëherë theks të veçantë ndeshjes futbollistike në mes të Shqipërisë e Zvicrës, që do të luhet në kuadër të Kampionatit Europian, më 11 qershor të këtij viti në Francë. Dikush pohon se do të ndeshen Shqipëria A dhe B, ndërsa të tjerët Zvicra A dhe B. Gjashtë lojtarë shqiptarë janë ftuar në reprezentacionin e Zvicrës, ndërsa në ate të Shqipërisa do të luajnë dymbëdhjetë futbollistë shqiptarë, të cilët janë ngritur në Zvicër. Duke përmendur emocionet e futbolldashësve shqiptarë: Sokol Dauti e Milaim Rama, gazeta në fjalë ka shkruar edhe për trajnerin e suksesshëm të FC Prishtina Bern, Ervin Gashin, për të cilin ka shkruar se është 25-vjeçar nga Berna.
Ervini me padurim e pret ndeshjen mes Zvicrës dhe Shqipërisë, duke pohuar : „Është një ndeshje speciale për të dyja palët“. Për herë të parë, migrantët do të kenë rastin të dëshmohen në një eveniment kaq të madh. Kur para dy vitesh, në kampionatin botëror në Brazil, Xherdan Shaqiri kishte shënuar hat-trick për ta dërguar Zvicrën në të tetën e finales, edhe shqiptarët kishin festuar në Bernë, Cyrih, Bazel, Gjenevë, pasi ishin krenuar me bashkëkombasit e tyre. Atëbotë, Zvicra ishte ekipi i tyre, ndërsa tani e kanë të vetin.
Asaj mbrëmjeje të së enjtes, Ervini e kishte përfunduar një ditë pune në fushën sportive në Wyler. Në shtëpi e presin bashkëshortja dhe dy fëmijët, ndërsa i treti është shkolla e tij e futbollit të cilën para pak kohësh e kishte themeluar së bashku me të vëllain dhe e cila ka grumbulluar shumë juniorë.
Si trajner i FC Prishtinës nga Berna, Ervini u dëshmua si trajner i mrekullueshëm, duke e inkuadruar ekipin në Ligën e dytë interegjionale. Por, ai dëshiron edhe më shumë pasi ligat rajonale i janë bërë shumë të vogla. Ai dëshiron të jetojë nga trajnimi për futboll. Për këtë qëllim, ai gjendet në fushën e futbollit për çdo ditë, nga e hëna deri të premten. „Jam disi i çuditshëm“, ka deklaruar Ervini në aspektin pozitiv për „Berner Oberländer“, njofton „Shtegu.com“. „Duhet të jemi krenarë dhe të lumtur që mund të jetojmë këtu“, ka përfunduar me fjalët e tij përplot pasion.