Tetë vite burg shqiptarit për keqtrajtimin e priftit
22:49:20 2016-03-19
Në ditën e dytë të gjykimit ndaj një shqiptari 28-vjeçar, janë zbuluar informata të reja. Se si ka arritur ta kapë policia gjermane të dyshuarin, ai si duket është personalisht fajtor.
Në procesin gjyqësor që është mbajtur në Wuppertal të Gjermanisë, ndaj shqiptarit 28-vjeçar, i cili kishte ushtruar një plaçkitje të dhunshme ndaj një prifti nga Remscheid, është sjellë edhe vendimi, me të cilin ai dënohet me tetë vite burg, për shkak të veprës penale „plaçkitje e rëndë dhe shkaktim të lëndimeve trupore“. Me këtë, Gjykata iu afrua kërkesës së prokurorit publik, i cili për shqiptarin kishte kërkuar nëntë vite privim lirie.
Gjykata ka dëshmuar se Liridon P. së bashku edhe me një bashkëpunëtor të tij, më 9 nëntor të vitit të kaluar kishte hyrë në famullinë St.Bonaventura në Lennep. Brenda në te, ata kishin takuar priftin Jürgen Behr, duke e kërcënuar me thikë, keqtrajtuar më tepër se një orë, e duke e goditur me grushte e shqelma dhe duke i kërkuar t`ua japë gjësendet e velfshme. Më pas, atë e kishin lidhur me një kabllo të fshesës elektrike për një tavoilnë. Kur plaçkitësit kishin hyrë në dhomën e tij të fjetjes për të kontrolluar, ai kishte arritur të lirohet dhe të arratiset. Edhe sot e kësaj dite, prifti vuan nga frika e asaj nate, ndërsa është duke u trajtuar në psikiatri.
Gjatë ditës së dytë të gjykimit, ishin ftuar dëshmitarë nga radhët e policisë. Sipas tyre, i akuzuari ishte zbuluar nga pakujdesia e tij personale. Hetuesit e kishin njohur numrin identifikues të celularit të cilin ai e kishte vjedhur në famulli dhe të cilin e kishte përdorur pas plaçkitjes. Në këtë mënyrë, policia nuk e kishte pasur shumë vështirë ta zbulojë. Gjatë një kontrolli që policia kishte kryer në vendbanimin e tij, në një qendër strehimore në Düsseldorf, përpos portofolit të viktimës, ajo kishte gjetur edhe disa gjëra sakrale, të cilat ishin plaçkitur nga famullia.
Shqiptimi i dënimit, për priftin ka qenë një lehtësim i madh. „Tash ndjehem më mirë“, ka deklaruar ai për „rp-online.de“, njofton „Shtegu.com“. Për momentin ende nuk dihet se ku gjendet plaçkitësi i dytë, por hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë larguar për në Shqipëri.