Të rinjve në Lubeten u mpihen dhëmbët, përderisa të moshuarit po i hanë mollët
Një peizazh i mrekullueshëm na shoqëroi rrugës për në fshatin Lubeten të Shkupit. Pamja mahnitëse e qytetit të Shkupit dhe kodra e Bashinecit, të lënë një mbresë të paharrueshme.
Fshatarë të lodhur nga puna e fshatit, por gjithnjë bujarë e zemërgjerë me mikpritje të ëmbël për çdo të huaj, janë një përditshmri e fshatit i cili përjetoi ditë të rënda gjatë masakrës së vitit 2001.
Ajo që të bie në sy në fshat, është xhamia bashkëkohore me dy minare që padyshim i jep një hijeshi të veçantë.
Punime artizanale të mrekullueshme prej druri i japin magjinë këtij vendi të shenjtë, në të cilin gjatë ditës mblidhen me dhjetëra besimtarë për t`u falur. Objekti është ndërtuar rreth më tepër se 20 vite më parë dhe sipas asaj që dëgjuam nga fshatarët ka kushtuar rreth 700 mjë euro që në atë periudhë kishin një vlerë shumë më të madhe.
Në anën e kundërt të xhamisë shihet një shtëpi e rrënuar, në të cilën kishin buajtur Hasan Prishtina dhe Idriz Seferi me trimat, ndërsa ky i fundit nga këtu ishte nisur për ta sulmuar burgun e Shkupit dhe për t`i liruar bashkëluftëtarët e tij. Një fshat vërtetë me tradita të lashta e të lavdishme.
Në shkollën e fshatit, mësimet i vijojnë rreth 400 nxënës të zellshëm, të cilët janë të ballafaquar me mungesë të një objekti përkatës bashkëkohor për t`i zhvilluar mësimet.
Askujt nga institucionet përkatëse nuk i bie ndërmend që të rinovojë apo të investojë ndonjë shumë parashë. Shkolla është lënë nën mëshirën e kohës, mungojnë investitorët, ndërsa 400 nxënësit e shikojnë si me lakmi xhaminë me dy minare e cila gjatë ditëve të premte stërmbushet nga më të moshuarit. (Shtegu.com)