Të gjithë mbyllëm njërin sy dhe njërin vesh para krimit, disa nga frika disa nga interesi

50 Lexime

17:38:42              2016-02-14

 

 

Shpëtim Nuredini

 

 

“Më jepni një pikë mbështetjeje (një levë) dhe unë do të ngre botën”, – tha Arkimedi. Edhe prokurores speciale, znj. Fatime dhe të tjerëve në PPS u është dhënë dhe u jepet mbështetje që të ngrenë drejtësinë e verbër të përplasur përdhe.

 

 

Që të mos ketë huti, këta prokurorë vijnë nga Prokuroria Publike, madje edhe nga sektori për krim të organizuar por, nuk patën atë guximin që po demostrojnë tani për të luftuar krrimin. Po ta bënin një gjë të tillë, atje, s’do mundeshin këta politikanë të pretenduar për kriminelë që të na dëmtojnë kaq shumë dhe s’do kishim nevojë për një PPS.

 

 

Mos harrojmë se të gjithë mbyllëm njërin sy dhe njërin vesh para krimit. Kush nga papërgjegjshmëria qytetare, kush nga frika dhe kush për interes, por sytë i mbylli fillimisht Prokuroria, institucioni më i thirrur për të hetuar krimin dhe korrupcionin.

 

 

E vërteta tjetër është se po del në sipërfaqe që, megjithatë, në institucione ka njerëz të përgatitur dhe të zellshëm, por që shtypen dhe pengohen t’a kryejnë punën e tyre me kompetencë dhe nder.

 

 

Jam i bindur se ashtu si në Prokurori edhe në gjykata, por edhe në institucione të tjera, ka profesionistë që dijnë dhe munden por që pengohen nga “xhandarët partiak”.

 

 

E kam thënë që në fillim se, ngritja e një Prokurorie Speciale pa një gjykatë speciale duket gjysmake. Dhe po rezulton se ngritja e një gjykate të tillë është e patjetërsueshme.

 

 

Nëse kjo ndodh dhe problemi i vetëm mbeten mediat, atëherë pse të mos themelojmë edhe një televizion publik special?! Edhe në TVM ka “Fatime dhe Katica”, njerëz që dijnë ta bëjnë punën me nder dhe pët syri s’u bën.

 

 

Le të funksionojnë institucionet speciale deri në vendosjen e shtetit ligjor dhe departizimin e administratës.

 

 

Edhe ashtu, të detyruar nga krimi, sistemit i kemi bērë një prerje cezariane, që nga formati i qeverisë.

 

 

(Struga Ekspres)