Poligloti i vogël jeton në skamje të thellë
21:36:20 2016-02-14
Anita Kadriu
Kushtet e vështira ekonomike nuk e kanë penguar djaloshin nga komuna e Obiliqit që të mësojë disa gjuhë.
Vogëlushi nga Obiliqi flet disa gjuhë të huaja. Ai ato i ka mësuar në një shtëpi që ngjason me kasolle ku jeton në skamje vetëm me të ëmën pas vdekjes së babait.
Ky djalosh, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë, por që heziton të dalë në publik me emër së bashku me të ëmën, ai ndihet keq që shokët ta shohin nga cila shtëpi del, objekti i së cilës që nga jashtë duket se është gati për t’u rrëzuar dhe ku ky fëmijë nuk ka një tavolinë për të mësuar, por ka arritur në mënyrë autodidakte të mësojë dhe të flasë tash anglisht dhe gjermanisht rrjedhshëm.
Kushtet e rënda ekonomike e kanë forcuar dhe “burrëruar” para kohe këtë fëmijë. Duke sfiduar jo vetëm trupin e uritur, por edhe mendjen që të mësojë gjuhët e huaja, ndonëse të hollat i mungonin për të ndjekur kurse, ai nuk u dorëzua përballë varfërisë dhe, siç shprehet ai, vendosi të bëhet nxënës shembullor dhe të mos heqë dorë nga kapja e dijes pavarësisht se shkollën e bën pa asnjë cent në xhep.
“Nuk kam menduar për urinë, edhe pse lakmoj për shumë gjëra të kem, unë mësoj dhe duke lexuar sa më shumë harroj ushqimin, nuk mendoj për të, por se si të mësoj fjalë të huaja që nesër kur të rritem dhe të piqem për universitet të marrë dije nga shumë libra në shumë gjuhë të botës”, thotë ai.
Gruaja nga Obiliqi mban veten dhe djalin me vetëm 70 euro në muaj, aq sa merr ndihmë sociale nga shteti. Asaj i duhet të mbajë shtëpinë, veten dhe të birin, të vetmin fëmijë të cilin e ka adoptuar.
Gjendjen e tyre ekonomike përveçqë e rëndoi vdekja e bashkëshortit 10 vjet më parë, pastaj operacioni i rëndë që ka bërë ajo në kokë edhe sëmundja e astmës është ajo nga e cila vuan i biri.
Të dielën, nëna nga Obiliqi, në kasollen e vjetër, që nuk ka kushtet elementare për jetesë, u vizitua nga disa mysafirë nga Austria të vetmit që e ndihmuan dhe i trokitën në derë. Lotët në sytë e saj që kanë bërë gropa duke u derdhur në fytyrë për çdo ditë që djalit të saj nuk të mundë t’i sigurojë kushte më të mira për mësim dhe ushqim të bollshëm, të dielën rrodhën edhe nga gëzimi, transmeton “Zëri.info”.
Ajo u ndihmua me 1 mijë e 400 euro para të gatshme, që ishte shuma që ia dhuroi Maria Schonegger kësaj familjeje skamnore.
Schonegger dëshiroi që t’ia dorëzonte personalisht paratë, të cilat nxënësit e saj nga gjimnazi “BORG Deutschlandsberg” i fituan në një garë shkence mes 35 shkollash në Austri. Ajo premtoi që nuk do të jetë vizita e fundit tek ata, pasi kjo familje ka shumë nevojë për ndihmë.
“Për këtë familje dhe Kosovën kam dëgjuar shumë nga nxënësit e mi, që kam disa nga Kosova. Gjithmonë më ka interesuar të di më shumë për Kosovën, për ish-Jugosllavinë. Kam bërë disa punime në histori dhe gjeografi, lëndë këto që i ligjëroj”, tha ajo për “Zërin”.
Duke shpjeguar se është ndier shumë keq kur ka dëgjuar për kushtet ekonomike të kësaj familje, tani po kthehet e mahnitur me aftësitë e djaloshit se si ai i flet disa gjuhë, pavarësisht kushteve jo të mira ekonomike dhe sociale.
“Premtoj që do të vij prapë, nuk mund të garantoj nëse studentët do të jenë sërish me mua, por personalisht ju premtoj që do të vij tek kjo familje, por edhe nëpër vende të tjera në Kosovë”, tha Schonegger.
Nuk ka qëndruar gjatë në Kosovë, ngase ka marrë me vete disa nga nxënësit e saj e që janë të rinj në moshë, por është befasuar me dinamikën në Prishtinë dhe premton se do të angazhohet për të riun që tashmë i ka ndihmuar dhe është mahnitur me të./Zëri/