Takimi i Berlinit, “varroset ideja për shkëmbim territoresh”

67 Lexime

 
 

Të hënën në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, do të takojnë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane, ndikimet e jashtme si ai kinez në rajon, por, në qendër të diskutimeve, do të jetë çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Para takimit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se, ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.

“Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane.
Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj!”, u shpreh Haradinaj para takimit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se pret që në Berlin të ndodhet nën trysni për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe që “Serbia të mos fitojë asgjë”. Aty do të flitet për tarifat dhe vazhdimin e bisedimeve, Asnjë zgjidhje nuk është në horizont”, ka thënë presidenti serb, i cili para se të udhëtojë për në Berlin, është këshilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi në Kinë.

Nisma e të dy udhëheqësve të lartë evropianë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur bisedimet u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Serbia thotë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.Ditë më parë e përditshmja austriake, Der Standard, shkroi se sipas diplomatëve “qëllimi i takimit është që të varroset ideja për shkëmbim territoresh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Idetë e tilla u hodhën që në verën e vitit të kaluar duke nxitur ndarje jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por edhe skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta mbështesnin ndryshimin e kufijve nëse palët pajtohen dhe atyre që kundërshtojnë një gjë të tillë për shkak të pasojave që mund të ketë në rajonin e Ballkanit.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve.

Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Sipas medieve, Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.(INA)