Sulmohet rëndë dhe plaçkitet një shqiptar 30-vjeçar në Austri

76 Lexime

03:27:22              2016-04-17

 

 

 

 

Skena dramatike janë zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në një banesë në brendinë e qytetit të Linzit në Austri. Një shqiptar 30-vjeçar është sulmuar dhe plaçkitur nga dy të panjohur, rreth orës 18.45.

 

 

 

Pasi i kishin rënë ziles, sulmuesit ishin vërsulur menjëherë mbi te, duke e lidhur me një kabllo dhe duke kërkuar të holla. Viktima iu kishte treguar për ca të holla, por ata kishin dyshuar se mund të gjejnë edhe më shumë. Prandaj, shqiptarin e kishin kërcënuar me një armë zjarri.

 

 

 

Pasi e kishin bastisur edhe një herë banesën, ata e kishin goditur me armë në kokë. Më pas, ata janë larguar nga banesa me një lap-top, një celular dhe të holla. Policia është vënë menjëherë në kërkim të plaçkitësve, por pa sukses.

 

 

 

Që atëherë, janë duke hetuar edhe organet përkatëse austriake për krime (LKA), për të rikonstruktuar rastin. Viktima nuk ka mundur t`i përshkruajë sulumuesit. „Me siguri se plaçkitësit kanë reaguar shumë shpejt“, ka pohuar Gisbert Windischhofer nga policia austriake për „Nachrichten.at“, njofton „Shtegu.com“.

 

 

 

Hetimet e para kanë dëshmuar se rasti nuk është imagjinuar nga viktima, por janë vërejtur mospërputhje të shqiptarit në përshkrimin e sulmuesve. Me sa duket, shqiptari ka ditur shumë më tepër se sa ka deklaruar.

 

 

 

Lidhur me këtë rast, policia austriake ka këshilluar që gjithnjë të kontrollohet se kush qëndron para derës së banesës. Sipas saj, gjithnjë duhet shikuar nëpër vrimën e derës, apo të vendoset zinxhiri i sigurisë së derës, para se të hapet ajo.