Suksesi i vëllezërve Seferi, nga enëlarës në gastronom të njohur
Vëllezërit Seferi kishin ardhur në Gjermani si migrantë nga Kosova. Sot, ata udhëheqin gjashtë restorante në Augsburg, me kuzhinë bavareze e shvabe.
Një qytet, tre vëllezër, gjashtë restorante: (nga e majta) Fatmir, Ilir dhe Faton Seferi, në Augsburg
Gjithçka kishte filluar në vitin 1993, kur Ilir Seferi e kishte braktisur vendlindjen e tij, rrethin e Drenicës në Kosovë, para trazirave të mëvonshme. „Papritmas, u shndërrova në një njeri pa prejardhje“, i përkujton kohët Iliri që ishte vetëm 20 vjeç. Pa ditur asnjë fjalë të vetme të gjuhës gjermane, ai kishte arritur në Amberg të Gjermanisë, ku i ishte dhënë një strehimore. Çfarë dallimi i jetës aktuale si gastronom në Augsburg, së bashku me vëllezërit e tij!
Në atë kohë, djaloshi ri nuk kishte të drejtë pune dhe ai u irritua pa masë. „Pas disa javësh, e thirra babain dhe i thashë se do të kthehem në shtëpi“, rrëfen për „Augsburger Allgemeine“, Iliri. Por, babai i brengosur për sigurinë e tij, e kishte këshilluar që të mësojë shqipen, të integrohet dhe të bëjë gjithçka sa më mirë. Ai e kishte dëgjuar babain.
Nga të hollat e pakta, ai e bleu një fjalor dhe një biçikletë. Me te, ai filloi të kërkojë punë nga ëeiden, Regensburg e deri në Nürnberg, por gjatë kësaj, ai pranoi tetëdhjetë përgjigje negative të cilat e refuzonin për punë me status të refugjatit. Por, Ilir Seferi nuk u dorëzua përderisa e gjeti një vend pune si enëlarës në një lokal.
„I kisha dy duar të shëndosha dhe dëshirë për punë. Më mirë të laja enë se sa asgjë të bëja“, vazhdon Iliri aktualisht 43-vjeçar. Ishte ky një fillim i një karriere të madhe në gastronomi. Së bashku me vëllezërit e tij Fatmirin (34) dhe Fatonin (30), ai aktualisht është duke udhëhequr me sukses disa restorante në Augsburg.
Përmes një farefisi, Iliri u vendos në Friedberg, ku filloi punën si kamarier. Kur në vitin 1998 në vendlindjen e tij lufta definitivisht filloi, në Gjermani erdhi edhe i vëllai, Fatmiri. Që të dy filluan të punojnë në lokale të ndryshëm. Përderisa Fatmir Seferi, në një restorant në Augsburg, nga enëlarësi arriti të bëhet udhëheqës i restorantit, i vëllai Iliri prej 2000-2003, shërbeu në një restorant luksoz duke perfeksionuar edhe më tej profesionin.
Kur i vëllai i tyre, Fatoni 18-vjeçar, në vitin 2003 erdhi në Gjermani, ata tashmë ishin bërë të pavaur duke hapur një piceri të vogël. „Të gjitha i bënim vetë, fshinim, përgatitnim ushqimin dhe shërbenim „, thonë vëllezërit.
Me kalimin e kohës, ata e zgjeruan biznesin e tyre, duke marrë përsipër edhe disa restorante të njohur në Augsburg, duke punësuar rreth 100 punëtorë. Receta e tyre e suksesit është bindja e tyre e fortë për punën. Tashmë ata i kanë krijuar edhe dy kompani, duke i rregulluar aksionet e tyre. Në fund, Faton Seferi thotë: „Së bashku me bashkëshortet dhe fëmijët, ne jetojmë nën një kulm dhe së paku një herë në ditë takohemi së bashku, sa për një kafe“.