Storje e suksesshme e një intelektuali shqiptar në Perëndim
01:03:34 2017-03-11
Për restorantin „Schlangenkrone“ është gjetur një pronar i ri, ndërsa ceremonia e inaugurimit tashmë është planifikuar. Pronar i ri i restorantit është Kamber Kamberi, „shkruan sz-online.de“ përcjellë „Shtegu.com“. Gjatë të martës, Kamber Kamberi e ka nënshkruar kontratën në Komunën Schleife në Gjermani. Një lajm të tillë e ka komunikuar të martën kryesia e këshillit komunal, në mbledhjen e saj.
Ceremonia e inaugurimit është planifikuar për 20 mars, ndërsa do të shërbehen specialitete gjermane e italiane. Me këtë është siguruar edhe furnizimi me ushqim i banorëve gjatë festës së Pashkëve në fundjavën e parë të mujait prill.
***************************************************************************
Është ky një shkrim që është bërë i zakonshëm nga mediet e huaja për sukseset e shqiptarëve jashtë vendlindjes. Por, ajo që është e pazakonshme, është fakti se Kamber Kamberi është intelektual shqiptar i pashfletuar nga trojet e Maqedonisë. Për më tepër, nipi i tij, Prof. Dr. Sefer Tahiri, profesor universitar në UEJL, është emocionuar pa masë duke bërë një këndvështrim të bashkatdhetarëve tanë, të cilët kanë qenë të detyruar për shkaqe ekonomike ta braktisin vendin, për të përfunduar në profesione të cilat nuk u shkojnë për shtati, para së gjithash intelektualët shqiptarë. Ja edhe shkrimi i Tahirit në profilin e tij në Facebook:
„Ky që e shihni në foto në gazetën gjermane është daja im, daja im më i madh, Kamber Kamberi. Meqë nuk e kam parë moti kohë, u gëzova kur e pashë fotografinë e tij në një gazetë dhe në të njëjtën kohë u dëshpërova se afër fotografisë shkruante „restaurant“ dhe konotacioni është se bëhet fjalë për ndonjë shkrim në të cilin flitet për profilin e tij si punonjës me vlera dhe virtyte, siç janë shumë shqiptarë në Perëndim.
Sot isha në vendlindjen tme, në Radushë, kalova dhe u ndala para shtëpisë së tij, një shtëpi grandioze, e ndërtuar me djersën e ballit! Por në të nuk ishte askush, asnjë njeri, asnjë frymë! As buzëqeshja e tij mikpritëse! Ka qenë njëri ndër shtytësit më të mëdhenj dhe gjithmonë i interesuar për rrugëtimin tim jetësor dhe studimor e më vonë edhe të karrierës, duke iu gëzuar arritjeve të mia profesionale. Daja im është intelektual i një kalibri të lartë, megjithë se valët e jetës e shpien në Perëndim. Ka përfunduar Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Shkup, në kohë të rënda. Ka qenë student i shkëlqyeshëm, madje sot e asaj dite profesorët e Katedrës pyesin për të! Profesor Remzi Nesimi më ka folur fjalët më të mira për të si student. E dini sa gjuhë di daja im? Jo vetëm në nivel themelor, por në nivel të avancuar njeh gjuhën gjermane (perfekt), gjuhën frenge (2 vite ka qenë arsimtar i saj në SHF „Faik Konica“ në Radushë), gjuhën italiane, ndërsa kuptohet edhe atë maqedonase e boshnjake!
Daja im ka edhe pak vite deri në përfundim të periudhës së punës, ndërsa do të dalë në pension si punonjës në Gjermani, i shtetit gjerman, duke mos pasur mundësinë që ti vë në shprehje aftësitë e tij linguistike dhe intelektuale në vendin e tij, në këtë copë dheu ku u rrit, mësoi dhe studioi me shumë mund, me skamje, por me vullnet të çeliktë për dije, për shkencë, për lexim! Ngushëllohem kur e mendoj se sa shumë shqiptarë ka në Perëndim si daja im! Me siguri shumë. Por besoni se ky është i veçantë! Jo vetëm pse është daja im!“, përfundon shkrimin Sefer Tahiri.