Shtetasi nga Maqedonia e Veriut ishte dënuar gabimisht si vrasës i brazilianit
09:50:01 2019-08-28
Në vitin 2009, një shtetas brazilian ishte goditur me thikë në Hohenrain LU të Zvicrës. Si autor I krimit, atëbotë ishte dënuar një shtetas verimaqedonas (37). Por papritmas, tani gjerët kanë ndryshuar.
Në kërkim të fajtorit për vdekjen e shtetasit të ri brazilian, i cili u plagos për vdekje me thikë në Hohenrain në vitin 2009, Gjykata Kantonale e Lucernit e ka kthyer lëndën sërish në shqyrtim. Për dallim nga instance më e ulët gjyqësore, në vend të verimaqedonasit, ajo dënoi një shtetas Kosovar si autor të krimit.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, një verimaqedonas, tani 37-vjeçar, akuzohej se kishte ekzekutuar goditjen me thikë, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Shtegu.com. Në seancën e parë në vitin 2017, Gjykata Penale e shpalli atë fajtor si autor I vrasjes me thikë dhe sulm të qëllimshëm, duke e dënuar me tetë vite e tre muaj burg.
Gjykata Kantonale, si gjykatë apeli ka ardhur në përfundim se 37-vjeçari verimaqedonas nuk e kishte kryer krimin, por një shtetas kosovar 33-vjeçar: Prandaj, për shkak të vrasjes së qëllimshme eventuale, ajo e dënoi kosovarin me burgim prej 7 vitesh e dy muaj.
Aktgjykimi i Gjykatës Penale kundër verimaqedonasit si fajtor për vrasje eventuale me dashje, është shfuqizuar. Ai është ridënuar me 3 vite e 3 muaj burg vetëm për sulm. Vendimi gjyqësor ende nuk është përfundimtar.
Se cilët argumentë kanë sjellë aktgjykimin e ri, ende nuk dihet. Argumentimi i gjykatës do të pasojë në ditët e ardhshme, informon më tej Shtegu.com.
Vrasja kishte ndodhur një natë gushti, dhjetë vite më parë. Një shtetas kosovar aktualisht 28-vjeçar donte të hakmerrej për një grusht që kishte marrë më parë në një aheng në Hochdorf. Ai dhe dy shokë të tij sulmuan katër shtetas brazilianë me gaz lotsjellës, çekanë dhe thikë. Njëri nga brazilianët u qëllua për vdekje me thikë, të akuzuarit u arratisën.