Shqiptarja 16-vjeçare ishte martuar në Xhihad
08:00:44 2016-01-01
Para tre ditësh, tinejxherët shqiptarë Edita (16) dhe i vëllai Visari (17) u kthyen nga Xhihadi në Zvicër. Ata u arrestuan menjëherë në aeroportin e Cyrihut.
Para 13 muajsh, Edita dhe Visari e kishin lënë prapa jetën e qetë zvicerane në Winterthur. Vijimi i shkollimit si duket nuk u kishte lënë shumë përshtypje. Tinejxherët kosovarë, rregullisht i kishin vizituar xhamitë An’Nur dhe El-Furkan, ku u ndërlidhën me udhëtarë të tjerë për në Xhihad. Në dhjetor të vitit 2014, ata udhëtuan me avion për në Stamboll. Edita kishte dhënë një deklaratë të rreme në shkollë kinse është e sëmurë, ndërsa prindërve u kishte thënë se do ta kalojë natën te shoqja e saj. Së bashku me të vëllanë, i cili gjatë verës e kishte vizituar Mekën, ajo udhëtoi për në Xhihad – në bastionin xhihadist Rakka, në zemër të terrorit, shkruan „Blick“, njofton „Shtegu.com“.
Sipas të përditshmes zvicerane „Landbote“, atje Visari i ishte përkushtuar studimit të Kuranit, ndërsa e motra e tij 16-vjeçare ishte martuar. Mbetet ende e paqartë përse dy të rinjtë janë kthyer nga lufta e shenjtë. Është kjo një pjesë e hetimeve, kanë deklaruar nga Prokuroria për të rinjtë. Sipas disa të afërmve, Edita në Rakka ka qenë shumë e mërzitur dhe e pakënaqur.
Së shpejti pritet të sqarohet nëse të rinjtë do të qëndrojnë në paraburgim apo do të vendosen në ente përkatës për të rinj. Tashmë është ngritur një aktakuzë për shkak të dyshimit të veprës penale nga Ligji federal zviceran, për ndalimin e mbështetjes së grupacioneve të Al-Kaida dhe ISIS. Atyre u kërcënohet heqja e lirisë.
Për një kohë shumë të shkurtër, prindërit kanë mundur t`i vizitojnë fëmijët e tyre. Babai i tyre i kishte kërkuar pa shpresë duke udhëtuar deri në Turqi.