Shqiptari nga Hotla e Kumanovës dëbohet nga Italia për terrorizëm
10:24:54 2016-01-14
Me dekret te Ministrisë së Brendshme është dëbuar nga territori italian për “motive parandalimi terrorist”, shtetasi maqedonas Rexhep Ljimani, 39 vjeç. Është ky personi i 67 që dëbohet nga shteti italian me akuzën e përkrahjes e lidhjes me doktrinën e shtetit islamik ISIS.
Rexhep Ljimani i lindur në fshatin Hotël të Kumanovës, jetonte prej vitit 1998 në Itali në komunën San Zenone Degli Ezzellini në provicën e Trevizos. I martuar dhe me dy fëmijë punonte rregullisht në një fabrikë amballazhesh e prej marsit të vitit 2012 drejtonte në këtë qytezë, shoqatën kulturore islamike “Vëllazëria”.
Hetimet e policisë italiane kanë konstatuar se prej viti 2014 ai kishte vendosur kontakte me persona me origjinë ballkanike, të lidhur me grupet e islamizmit radikal. Pas ngjarjeve të 13 nëntorit në Paris, Rexhep Ljimani refuzoi t’i bashkohej iniciativës së promovuar nga disa shoqata myslimane për një komunikatë solidariteti ndaj Francës e viktimave të atentateve terroriste.
Po në nëntor të 2015, pas sulmeve në Paris, djali i tij 8 vjeçar kishte komentuar në shkollën ku ai studion se “terroristët kanë bërë mirë që kanë vrarë e se shpejt do mbërrijnë në Romë e do vrasin Papën. Rroftë ISIS”.
Në konferencën për shtyp ministri i Brendshëm italian Anxhelino Alfano deklaroi se “se ne jemi një vend që i njeh principet e mikpritjes për këdo që largohet nga lufta e persekutimi, por jemi dhe një shtet që respekton ligjet e rregullat, e kush nuk i respekton ato, apo shfaq armiqësi ndaj traditave tona, do të dëbohet. Kjo është linja jonë.”
Rexhep Ljimani është shoqëruar të mërkurën në komisariatin e zonës ku dhe i është notifikuar dekreti i dëbimit nga Italia. Më pas është shoqëruar në aeroportin e Venecias për të udhëtuar drejt Maqedonisë. Bashkëshortja e tij së bashku me dy fëmijët do të qëndrojnë në Itali./oranews/Lajm/