Shqiptarit në Gjermani „i bie“ vazoja nga dora por nuk i thyhet
11:26:42 2016-01-14
* Një shqiptar 54-vjeçar është dashur të paraqitet para trupit gjykues në Gjykatën e rrethit në Mynih të Gjermanisë, pasi dyshohet se kishte vjedhur një vazo të shtrenjtë.
* Shqiptari është shprehur se ndjehet me faj, por nuk mund t`i kujtohet më rasti, pasi ka qenë i dehur.
* Nga ana tjetër, një sigurmith i cili e kishte parë gjatë rastit në fjalë, si dëshmitar i vetëm ka deklaruar se nuk i rikujtohet ky person, kështu që procesi është mbyllur.
Një vazo e shtrenjtë ishte vjedhur, një shqiptar ka bërë pranimin e veprës në njëfarë mënyre, por nuk do të dënohet për këtë vepër. Prokuroria e shtetit ka akuzuar shqiptarin Ekrem H., se në muajin mars të vitit 2012, në sheshin Amiraplatz në Mynih, ka thyer xhamat e një vitrine të një lokali dekorues. Më pas, nga vitrinat ai ka marrë një vazo me një vlerë prej 4.800 eurosh, duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Dëshmitarë të drejtpërdrejtë nuk ka pasur, por një sigurimth e kishte dëgjuar zhurmën dhe kishte parë siluetën e një personi. E vetmja mundësi për policinë gjermane të gjejë plaçkitësin, kanë qenë gjurmët e ADN-së, të cilat kanë dëshmuar se bëhet fjalë për shqiptarin Ekrem H., shkruan „Suedeutsche Zeitung“, njofton „Shtegu.com“.
Shqiptari në atë kohë ka qenë i dehur dhe duke bredhur rrugëve të botës, ndërsa është arrestuar në Paris në tetor të vitit 2015. Që atëherë, ai ka qenë në paraburgim në Stadelheim. Para gjykatës ai ka deklaruar se i kujtohet që dikur ka qenë në Mynih, por se për shkak të ndikimit të fortë të alkoolit të konsumuar, nuk i kujtohet vepra e kryer. „Megjithatë, unë ndjehem me faj dhe me siguri unë e kam bërë“, ka pohuar Ekrem H.
Më pas, në sallën gjyqësore ka hyrë edhe dëshmitari i vetëm, i cili nuk ka arritur ta mbajë mend. Personin të cilin ai e kishte parë, atij i është dukur më i vogël se i akuzuari. Gjykatës nuk i ka mbetur gjë tjetër, përpos ta anulojë seancën, duke e liruar shqiptarin.