Shqiptarët rrahin policin italian jashtë detyrës
06:55:50 2016-04-16
Një ngjarje e tmerrshme i ka trishtuar italianët. „Një rast i tillë ende nuk ka ndodhur tek ne, që një polic të rrahet jashtë detyrës“, ka deklaruar komandanti i policisë në Bolzano të Italisë, Sergio Ronchetti. Sipas tij, vigjilenca e policëve duhet shtuar, pasi gjithnjë e më shpeshë ata kanë të bëjnë me kriminelë të gatshëm për dhunë, shkruan „stol.it“, njofton „Shtegu.com“.
Polici italian kishte marrë pjesë në një aheng për ditëlindje, në një bar në Oberau të Italisë. Në afësri ka qenë një grup i shtetasve shqiptarë. Paraprakisht, njërin nga ta polici e kishte ndaluar një ditë më parë për një kontroll në komunikacion duke e denoncuar, pasi ai nuk kishte pasur patentë shoferi dhe e kishte gënjyer për identitetin.
Pasi e kishte njohur policin, ai e kishte kërcënuar, ndërsa nuk është ende e qartë nëse ai ka qenë i vetëm apo ka qenë i shoqëruar edhe me persona të tjerë. Një person tjetër ia kishte hedhur një gotë në kokë. Polici menjëherë ka reaguar duke e përgatitur armën, por sulmuesit janë arratisur. Parashihet që plaga e kokës t`i shërohet brenda dy javësh.
Hetimet për ndriçimin e plotë të rastit janë në rrjedhë e sipër, ndërsa sulmuesit janë të njohur për policinë dhe pritet që së shpejti të arrestohen. Në rast të gjykimit ndaj të dyshuarve, ata rrezikojnë dënime për kërcënim prej maksimum një viti burg, ndërsa për shkaktim të lëndimeve trupore deri në tre vite burg.