Shqipëria fiton finalen në futboll ndaj Serbisë, shpallet „kampion bote“
00:27:37 2016-09-24
Në Salzburg të Austrisë, tradicionalisht mbahet turneu „Kampionati botëror në futboll për integrim“, i organizuar nga austriaku Erwin Himmelbauer. Këtyre ditëve përfundoi edhe edicioni i radhës i këtij kampionati, në të cilin në finale u gjendën Shqipëria dhe Serbia. Rezultati përfundoi 1:0 në të mirë të Shqipërisë, duke u kurorëzuar me titullin „kampion bote“ i këtij manifestimi. Por, rezultati dhe suksesi i shqiptarëve mbeti në prapaskenë, pasi me rëndësi ishte se manifestimi kaloi në një atmosferë korrekte dhe miqësore. Lidhur me ngjarjen, organizatori Erwin Himmelbauer për „Salzburger Nachrichten“ ka deklaruar: „Më me rëndësi se rezultati ka qenë takimi jashtzakonisht miqësor, brenda dhe jashtë fushës“, përcjellë „Shtegu.com“. Në fushën e gjelbër u paraqitën dhjetë ekipet më të mira nga garat kampionale të të gjitha krahinave austriake.
Hamdi Rama, shefi i shtabit teknik të ekipit të Shqipërisë, me këtë rast ka deklaruar: „Gjatë ndeshjes dëshmuam se të gjithë konfliktet i kemi lënë pas nesh“. Ekipi fitues i Shqipërisë e pranoi kupën fituese në stadiumin e Vjenës, „Ernst-Happel-Stadion“. Një ceremoni zyrtare e këtij evenimenti do të mbahet para ndeshjes kualifikuese në mes të Austrisë dhe Sllovakisë që do të zhvillohet më 15 nëntor. Kampionati botëror në futboll për integrim është mbajtur për herë të njëmbëdhjetë, ndërsa është përkrahur nga „Casinos Austria“.