Për nder të Festës së 28 Nëntorit, edhe gjatë këtij viti, Shoqata e mërgimtarëve “Kaçaniku” nga Zvicra, organizoi një mbrëmje të mrekullueshme muzikore në të cilën morën pjesë qindra bashkatdhetarë të rrethinës së Kaçanikut nga Zvicra, por edhe nga shtetet e afërt të Francës e Gjermanisë. Ishte një hapësirë tepër e vogël në objektin komunal, për t`i nxënë të gjithë të interesuarit, shumica takoheshin para objektit dhe çmalleshin me të njohurit të cilët nuk i kishin parë me muaj të tërë. Ishte vërtetë një kënaqësi e rrallë të takohesh me banorët e kësaj komune, e cila është ndër më aktivet në Zvicër.
Në brendinë e sallës, kryetari i shoqatës, aktivisti dhe veprimtari tashmë i njohur për çështjen kombëtare, Hysen Shehu, me ngrohtësi e buzëqeshje i pret mysafirët. Të gjithë e njohin, e nderojnë, e respektojnë për aktivitetin dhe flijimin e tij në kohët më të vështira të katrahurës kaçanikase, gjatë regjimit milloveshiqian.
Përpara se të fillojë mbrëmja muzikore, ai gjeti pak kohë të lirë edhe për gazetarin e “Shtegu.com” që t`i tregojë edhe për aktivitetin e shoqatës dhe organizimin e mbrëmjes. Në një tavolinë në “krye të vendit”, shkruhej: “E rezervuar”. “Është e rezervuar për kryebashkiakun me ekipin e tij. Asnjëherë nuk do ta harrojmë kontributin e kësaj komune për të ndihmuar Kaçanikun. Miqësia dhe partneriteti në mes Moosedorfit dhe Kaçanikut edhe më tej është aktive me manifestime të ndryshme», ka pohuar për Shtegu.com, Hysen Shehu.
Zanafilla e partneritetit midis Komunës së Kaçanikut dhe asaj të Moosseedorfit (komunë afër kryeqytetit të Zvicrës, Bernë), ka filluar që nga viti 2000, kur pas një aktiviteti të mëhershëm të veprimtarëve kaçanikas që jetojnë në Zvicër filloi të bëhet realitet me vizitën e parë zyrtare të bërë nga një delegacion i komunës së Kaçanikut prej 17-24 tetor të vitit 2000.











