Shkupjanja që e mahniti ministrin e Ekonomisë të Gjermanisë

63 Lexime

Ekzistojnë shumë mundësi që tekstili të përsoset në mënyrë që t`i përshtatet konsumatorit. „Corporate fashion tashmë është bashkëkohor“, pohon drejtorja shkupjane, Sadete Löcklin. Për herë të fundit ajo u dekorua nga ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, Sigmar Gabriel si „punëdhënëse shembullore“
Tashmë 15 vite, sipërmarrja nga Reutlingeni i Gjermanisë „Satema“ është duke u përkujdesur për veshjen ushtarake, promovuese dhe bashkëkohore. Në këtë sipërmarrje përdoren të gjithë proceset e prodhimit të veshjeve, që nga qepja, prerja, hekurosja e të gjitha detajet tjera që nevojiten për tu kompletuar veshjet. Nga klientët e saj mund të përmenden sipërmarrje të njohura, siç janë: Klinika dhe Universiteti nga Tübingeni, si dhe pothujase të gjitha sipërmarrjet nga Reutlingeni.

„Tekstili në trup, si medium i reklamimit është një trend bashkëkohor, të cilin e shfrytëzojnë të gjitha sipërmarrjet“, deklaron për „Schwäbische Tagblatt“ Sadetja, duke shtuar: Bashkëpunëtorët janë krenarë për sipërmarrjen e tyre dhe veshjet që i prodhojnë i veshin edhe në kohë të lirë. I gjithë ky sukses i Sadetes kishte filluar në vitin 1999, kur ajo kishte vendosur që të themelojë sipërmarrjen e saj personale të tekstilit. Që atëherë, sipërmarrja rritej vazhdimisht. Përfitimi i sipërmarrjes, vite me radhë rritej nga 20 deri 40 për qind, ndërsa aktualisht, përfitimi i saj sillet në një shumë prej shtatë shifrash. Numri i të punësuarve është rritur në 15 bashkëpunëtorë.
Përpos me dekorimin e tij për „punëdhënëse shembullore“, ministri i Ekonomisë e ka shpërblyer Sadeten edhe me një mirënjohje publike. „Ne kemi humbur shumë kohë për të arritur deri te ky sukses“, vazhdon Sadetja duke cekur dallimin në mes meshkujve dhe gjinisë femrore. „Burrat hyjnë me rrezik të plotë, ndërsa femrat fillimisht e vlerësojnë situatën familjare e më pas, hap pas hapi vazhdojnë drejt suksesit“.
Duke parë suksesin e së ëmës, vajza 29-vjeçare Alina, pasi e kishte kryer një shkollë të lartë profesionale të tekstilit, i bashkëngjitet sipërmarrjes duke dhënë kontributin e saj mjaft të konsiderueshëm. E ëma me këtë rast ndjehet shumë e lumtur dhe krenare, duke cekur se familja për te është në radhë të parë.
Sadetja kishte ardhur në Gjermani që në moshën nëntëvjeçare nga Shkupi i Maqedonisë. Ajo mësoi shumë dhe shpejt, ndërsa tani ajo ndjehet e integruar plotësisht. Pesëmbëdhjetë bashkëpunëtorët e saj në sipërmarrje, janë me prejardhje nga gjashtë kombe, por kjo është vetëm një rastësi, pasi: „Gjatë konkurrimit për punë në sipërmarrjen tonë, primare është kualifikimi i punëtorit“, përfundon Sadetja.