Shkolla “Ismail Qemali” në Shkup feston patronatin e “Rajko Zhinzifovit”
20:35:34 2016-10-21
21 tetori, dita e patronatit të shkollës ish “Rajko Zhinzifov” në Çair, vazhdon ta festohet edhe pse tashmë disa vite ajo mban mbishkrimin me emrin “Ismail Qemali”. Edhe mbishkrimi me këtë emër, si e vetmja shenjë që tregon se shkolla ka emër të ri, është afër fshirjes. Dëftesat e nxënësve dhe gjithë dokumentacionet tjera vazhdojnë të mbajnë vulën dhe emrin e vjetër.
“Shkolla fillore Ismail Qemali” në Çair sot e ka festë dhe ditë jo pune. Zyrtarisht kjo shkollë akoma mban emrin “Rajko Zhinzifov”. Mbetet e paqartë se kur tërësisht të jetë fshirë mbishkrimi me emrin e “Ismail Qemalit” si do të njihet kjo shkollë.”
“Ismail Qemali” dhe “Imri Elezi” janë dy shkolla të cilave me vite nuk u janë ndryshuar emrat zyrtar “Rajko Zhinzifov” dhe “Nikolla Vapcarov”. Nga Ministria e Arsimit disa herë i kanë bërë thirrje Regjistrit qendror që të mos bëjë politikë me emrat e shkollave dhe janë shprehur të bindur se pengesa e vetme qëndron tek ata. Një ditë para largimit nga posti i ministrit, Abdilaqim Ademi ka firmosur ndryshimin e emrave të shkollave kurse zëvendësi i tij Spiro Ristovski, e ka shfuqizuar atë. Mbetet e paqartë nëse vendimi i Ristovskit është ankimuar nga ndonjë institucion dhe mbi çfarë baze Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë mban peng ndryshimin e emrave të shkollave.
Nga Regjistri qendror kanë mohuan të sqarojnë çështjen për Alsat, duke thënë që kompetencën për të shqyrtuar ankesat për emrat e shkollave e ka Komisioni për ankesa i shkallës së dytë pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, organ për të cilin asnjëherë nuk arritëm të konfirmojmë nëse vërtetë ekziston. (LAJM)