Saliu: MPB po krijon “rrezik të jashtëm”

58 Lexime

Videoja e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme rreth aksioneve të fundit në disa fshatra të Shkupit dhe të Kumanovës përmban edhe një detaj të veçantë, hartën e Kosovës në mesin e gjësendeve të përmbysura në njërën prej shtëpive të bastisura.

Në vazhdimësi, njohësit e zhvillimeve politike kanë ngritur pikëpyetje rreth tendencës së supozuar të disa qarqeve të afërta me Qeverinë për të krijuar në opinion përshtypjen se vendi po rrezikohet nga fuqi të huaja, sidomos nga Kosova, prej nga kanë ardhur shumica e pjesëtarëve të të ashtuquajturit “grupi i Kumanovës”.

Sipas analistëve politikë, një tendencë e tillë po shihet edhe tash pas aksioneve të fundit që ndërlidhen me ngjarjet në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Ata vlerësojnë se politikat antishqiptare të institucionalizuara në formën e diskriminimit etnik vazhdojnë të gjenerojnë kriza të pashmangshme të cilat rrezikojnë stabilitetin e vendit.

Kështu mendon analisti Albert Hani, i cili në një bisedë telefonike për TV ERA, tha se qytetarët e Maqedonisë veçse janë mësuar me këto tendenca të pushtetit dhe se nuk kanë kohë të merren me pretendimet e qeverisë pasi ata janë të preokupuar me problemet e tyre jetësore dhe ekzistenciale.

“Mendoj që shpeshherë replikohet opinion publik duke i fokusuar ose përqendruar energjitë në elementet e jashtme, kërcënimi, mirëpo ky është një element që veç më qytetarët e kanë mësuar shumë mirë. Besoj se nuk do të bien pre e implenimeve të ndryshme jo vetëm të institucioneve shtetërore por edhe të njerëzve të cilët kanë intenca personale dhe profesionale që të prishin marrëdhëniet, relacionet ndërnjerëzore mes njerëzve të ndryshëm në Maqedoni”, ka thënë analisti Albert Hani për TV ERA, transmeton SHENJA.

Ndërsa, gazetari Isen Saliu vlerëson se gjatë këtyre viteve faktori politik shqiptar në Maqedoni nuk ka mundur ta pengojë këtë tendencë negative.

 

 

 

“Nuk është hera e parë që aksionet policore që realizohen në Maqedoni në lagje shqiptare, në fshatra shqiptare, shfrytëzohen njëkohësisht edhe për të dëmtuar imazhin e shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni por edhe në nivel rajonal. Kjo u vërtetua edhe në aksionet e fundit që u realizuan ku me çdo kusht insistohej që fokusi i aksionit të vendoset në atë drejtim që aludonte se prapavija e incidenteve në Maqedoni është në Kosovë”, thotë Isen Saliu.

Sipas Saliut, Shqipëria dhe Kosova duhet të marrin masa kur bëhet fjalë për imazhin e shqiptarëve në gjithë rajonin.

Të dy analistët janë të mendimit se shqiptarët e Maqedonisë në asnjë mënyrë nuk duhet përfshihen në lojën e fundit të çoroditur, e cila ka për qëllim që të shpëtojë politikanët e korruptuar dhe fokusin ta hedhin kinse e gjithë destabiliteti vjen nga vendet e huaja. (Lajm)