Ryanair shpallet e pafajshme për falsifikimin e pasaportave të çiftit shqiptar
13:59:36 2016-02-22
Vitin e kaluar, kompania irlandeze e fluturimit, Ryanair kishte fluturuar me një çift bashkëshortor shqiptar për në Angli. Shqiptarët kanë qenë me pasaporta të falsifikuara dhe për këtë, kompania është dënuar me 4 mijë funta. Rasti kishte kaluar në Gjykatë, ndërsa Ryanair është shpallur e pafajshme.
Ligji anglez i migrimit parasheh që kompanitë ajrore dhe linjat e transportit, të cilët për në Angli transportojnë udhëtarë me pasaporta fallse, të dënohen me 2 mijë funta për person. Duke iu referuar këtij ligji, që nga viti 1999, kompanitë ajrore kanë paguar deri tash dënime në një shumë prej miliona funtave për arkën shtetërore. Sipas deklaratave të Ryanair, gjatë vitit të kaluar kompania ka paguar një shumë të madhe të hollash, për 200 raste të tilla.
Në kontestin aktual, Ryanair është dashur të paguajë dënim 4 mijë funta britanike, për një çift bashkëshortor shqiptar, i cili në muajin maj të vitit të kaluar kishte udhëtuar nga Mallorca për Edinburgh të Skotlandës. Por, gjykatësi i Gjykatës së Lartë e ka vështruar ndryshe rastin: Nuk mund të pritet nga personeli i Ryanair të bëjë dallime në mes të pasaportave fallse dhe atyre të vërteta. Bile edhe për doganierët e specializuar në këtë drejtim është shumë vështirë të bëjnë dallimet, shkruan „Fluege.de“, njofton „Shtegu.com“.
Gjykata më tej ka argumentuar se çifti me pasaporta fallse, paraprakisht kishte hyrë në avionin e Ryanair, duke kaluar pa probleme kontrollin kufitar në Mallorca. Vetëm pas aterrimit në aeroportin e Edinburghut, doganierëve u kishte rënë në sy falsifikimi. Seanca gjyqësore ka përfunduar me lirimin nga akuza për Ryanair, ndërsa kompania ka shprehur gëzimin e saj për këtë vendim, duke pohuar se nuk do të kërkojë kompensimin e dënimeve të mëparshme. Kompania në fjalë e ksihte paraqitur vetëm rastin special të shqiptarëve në Gjykatë, pasi për personelin tokësor ka qenë e pamundur të dallojë pasaportat e falsifikuara.