Pensionistja gjermane falënderon publikisht tre shqiptarët e rinj

46 Lexime

03:35:59             2016-02-22

 

 

 

Zonja gjermane 75-vjeçare, Agnes Höing nuk e ka pasur jetën edhe aq të lehtë. Që nga lindja, ajo vuan nga një sëmundje e rëndë. Për këtë, ajo është e detyruar të lëvizë përmes karrocës. Pa ndihmën e ndokujt, ajo nuk mund të dalë e as të kthehet në banesë. „Kohëve të fundit dhimbjet më janë shpeshtuar“, pohon ajo për „rp-online.de“, njofton „Shtegu.com“. Sigurimi e ka klasifikuar në shkallën e dytë, kështu që ajo shoqërohet me ndonjë person gjatë vizitave mjekësore. Por, ndonjëherë ndodhë që edhe ndihmësit të jenë të ngarkuar. Kështu i ndodhi edhe gjatë kësaj jave, kur një përkujdesëse e kishte sjellë deri afër shtëpisë së saj, pas një kontrolli mjekësor.

 

 

Por, si do të ngjitej shkallëve tatëpjetë zonja e moshuar?! E vetmuar, përkujdesësja nuk kishte fuqi që ta ngriste shkallëve. Në atë moment, tre të rinj po vinin në drejtim të tyre, duke u kthyer në qendrën e azilkërkuesve në afërsi. Njëri nga të rinjtë, i cili u paraqit si shqiptar, fliste gjermanisht. Agnes Höing ia kishte sqaruar shkurtimisht situatën, ndërsa shqiptari kishte përkthyer. Për një moment, tre të rinjtë e kapin të moshuarën me gjithë karrocë dhe e ngrisin lartë. Por, jo vetëm gatishmëria e të rinjve që e kishte mahnitur plakën gjermane. „Unë besoj se ata kishin përvojë në këtë drejtim, pasi menjëherë e kuptuan se me karrocë duhej të ecja nga prapa dhe reaguan në mënyrë të përsosur se si duhet vepruar me persona me aftësi të kufizuara“.

 

 

Më në fund, tre të rinjtë e kishin dërguar të moshuarën bile edhe deri te tavolina e ushqimit. „Porsa u bëra gati tu jap ndonjë shpërblim të vogël, ata refuzuan. Pensionistja gjermane aq shumë ishte impresionuar, sa që e kishte thirrë redaksinë e gazetës në fjalë, duke i lutur që ngjarjen ta bëjnë publike. Dhe dëshira e saj u realizua (bile edhe në gjuhën shqipe – V.J.).