Rrezikohet familja shqiptare në Gjermani
07:48:56 2016-01-28
Të ardhur „në kohë të gabuar, në vendin e gabuar“, kështu e kanë përshkruar miqtë e familjes Lala, situatën e familjes refugjate shqiptare në një peticion online që i është drejtuar qeverisë lokale të Nordrhein-Westfalen në Gjermani. Për të pasqyruar gjendjen e familjes Lala dhe situatën aktuale në Shqipëri, miqtë e familjes shqiptare do të organizojnë një tubim njoftues mbi Shqipërinë, që do të mbahet të dielën e ardhshme më 31 janar 2016, në ora 16.00, në hapësirat e Caritasit në Ruhrstrasse 27, shkruan „Der Westen“, njofton „Shtegu.com“. Në përfundim të prezantimit të tubimit do të ketë ushqim të përgatitur dhe mundësi për tu njoftuar mes vete. Hyrja është falas, ndërsa nga të pranishmit do të kërkohet donacione të vogla për familjen Lala.
Përndryshe, Admir Lalës dhe familjes së tij është duke iu kërcënuar dëbimi nga Gjermania pas ashpërsimit të Ligjit për azil, edhe pse familja është shumë mirë e integruar. Të dy djemtë janë shumë të përkushtuar dhe të besueshëm në punën e tyre në një ent për pleq, ndërsa edhe nëna është e angazhuar në një institut të arsimimit të mëtutjeshëm. Pasi Shqipëria është vlerësuar si „shtet i sigurt i prejardhjes“, familja shqiptare mund të dëbohet më lehtë. Kërkesa e tyre për azil tashmë është refuzuar, ndërsa gjermanët rekomandojnë peticionin i cili është organizuar nga fqinjët, miqtë dhe kolegët. Deri më tani, mbni 30.000 persona e kanë nëshkruar peticionin. Ai i cili dëshiron të përkrahë familjen Lala, mund ta nënshkruajë online peticionin në këtë vegëz www.change.org/p/familie-lala-soll-bleiben .