Rast social, Familja Asani “lufton” për mbijetesë
06:27:32 2016-01-28
Një dhomë e vjetër, e errët dhe e ngushtë, që të kthen në kohërat e shekujve të kaluar, është gjithçka që posedon familja katër anëtarëshe Asani nga fshati Bojan i Shkupit. Familja Asani, është vetëm njëra nga familjet e shumta që po lufton për mbijetesë, ndërkaq pamjet nga dhoma e tyre e vetme, e cila është gati të rrënohet, flasin shumë qartë për varfërinë e skajshme dhe kushtet e vështira që po përballet çdo ditë kjo familje. Ata çdo ditë i gdhinë shpresa për një ditë më të mirë, shpresa që problemeve për mbijetesë do t’i vije fundi… por, nuk e gdhijnë dot të trokiturat e derës së personave që duhet ti japin fund problemeve të tyre. Pragu i tyre ka kohë që nuk po ndjen më hapat e solidaritetit. Kështu të paktën shprehet kryefamiljarja, Vezire Asani, duke thënë se askush nuk u del në ndihmë atyre, ndërsa muajin e kalojnë me shumë vështirëve vetëm me një asistencë të vogël sociale.
“Jemi 4 anëtarë të familjes. Jemi shumë në gjendje shumë të vështira, nuk kemi kushte, nuk kemi as lavatriçe për të larë rroba. Askush nuk na ka ndihmuar dhe nuk kemi kërkuar nga askush që të na ndihmojnë. Na dhurojnë vetëm fitra, zeqate për Ramazan”, tha kryefamiljarja Vezire Asani.
Por, çdo gjë bëhet akoma më e vështirë për tu përballuar gjatë periudhës së dimrit. Atëherë kur i ftohti i dimrit dhe varfërisë depërton deri në palcën kurrizore. Por, përveç varfërisë, kryefamiljaren Asani e shqetëson tejmase edhe një brengë tjetër, jo më e vogël se kjo. Ajo shqetësohet se nuk mund t’i ofrojë kushtet e nevojshme djalit të saj të vogël, i cili nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Shkolla speciale që duhet të ndjek ai është shumë largët, ndërkaq transporti nuk është i rregullt.
“Djalin e dërgoj në Saraj në shkollë që është për fëmijët me të meta, por jo me rregull, rrallë e dërgoj një herë në dy javë, tani si kanë hy fare nuk e kam dërguar, udhëtoj me autobus tani e kam shumë të vështirë sepse është shumë ftohtë dhe pres ne stacion 2 orë deri sa të vijë autobusi. Dimrit nuk e dërgojë ne shkollë kur është shumë ftohtë ka erë. Edhe pse mësuesja i ka lajmëruar që të na ndihmojnë por askush nuk na ka ofruar ndihmë, as komuna un jam edhe vetë e sëmurë”, ka shtuar Vezire Asani.
Asani thotë se për momentin më së shumti kanë nevojë për një çati mbi kokë dhe një shtëpi më të sigurt për jetesë.
“E kam shumë të vështirë. Nuk marrim as ndihmë sociale vetëm para për djalin 4000 denarë nuk na mjaftojnë për ta kaluar muajin. Për të ngrënë burri idare bëhet, për djalin nuk mund të kujdesemi s’kemi mundësi. Kemi më shumë nevojë për ndonjë banesë ose shtëpi në Saraj, që djali ta ketë më afër shkollën, sepse këtu kemi shumë problem me autobusat, prishen , vonohen”, tha më tej Vezire Asani.
Asani bën thirrje deri tek të gjithë ata që kanë mundësi të solidarizohen me gjendjen e tyre t’ju dalin në ndihmë.
Teuta Buçi /SHENJA/