REPORTAZH: Përditshmëria shqiptare në Alaskë (3)

126 Lexime

21:30:04               2017-05-22

 

 

 

 

 
Një takim i mrekullueshëm dhe i paharruar, ishte ai me atdhetarin dhe veprimtarin e palodhur të cështjes kombëtare, Nijazi Musliun nga rrethina e Ferizaj. Një gjeneratë e artë e periudhës shqiptare nga trojet e Kosovës, gjeneratë e cila ka ndikuar në edukimin dhe ngritjen e vetëdijes së lartë kombëtare, gjeneratë e cila ka ditur t’i respektojë vlerat e fjalës së dhënë, që mikpritjen, bujarinë dhe atdhedashurinë, e kanë pasur prioritet në raport me tjetrin. Zaten, gjithcka filloi nga ta, ndërsa Baca Nijazi i përkujton me mall ngjarjet e asaj kohe, kur gjatë studimeve bënte jetën e studentit. Më pas punësohet në të përditshmen e asaj kohe „Rilindja“, duke u shndërruar therë në sy për pushtetin aktual komunist.

Përmes një projekti të asaj kohe, ai vendoset në SHBA, por brenga e atdheut e shoqëroi gjatë gjithë kohës. Në këtë mënyrë, ai e filloi fushatën për ndërkombëtarizimin dhe sensibilizimin e cështjes kosovare. „Artikullin e parë që e shkrova për ‚Rilindjen‘ nga Cikago e SHBA-ve, ishte për presidentin amerikan Nikson se ai kishte prejardhje shqiptare. Në atë kohë përshpëritej se familja mbretërore shqiptare dhe familja e Niksonit kanë lidhje gjaku. Për mua nuk ishte e rëndësishme të dëshmoj nëse vërtetë Niksoni ishte shqiptar apo jo, por qëllimi ishte që ta bindi opinionin e lodhur, të përbuzur e të shkelur shqiptar se ne kemi aftësi të mbërrijmë edhe piedestalet më të lartë të njohurive shkencore, se kemi potenciale të pafundshme të aftësive individuale e të përgjithshme, ishte një inspirim për masën e gjerë shqiptare dhe njëkohësisht një disfatë e regjimit të atëhershëm jugosllav. Pas publikimit të këtij artikulli, menjëherë është thirrë drejtori i atëhershëm Zogaj, i cili ju tha se ai nuk e kishte dërguar Nijaziun në SHBA. Kolegu Tahir Neziri më dërgoi një letër dhe më sugjeroi të mos kthehem, pasi do të më burgosnin menjëherë. Edhe sot e kësaj dite, ky artikull është temë e bisedimeve të kolegëve më të vjetër të ‚Rilindjes'“, përkujton me një mallëngjim të rrallë por edhe plot emocione e ndjenja, Baca Nijazi.

Lufta e Kosovës e gjeti në mesin e atyre të cilët nuk kursyen asgjë për të përkrahur luftëtarët e paepur të UCK-së, duke udhëtuar edhe në vendin e ngjarjes për të dërguar ndihmat dhe pajisjet ushtarake, të grumbulluara nga bashkatdhetarët.

I etur për të studiuar gjithcka që është shqiptare, Baca Nijazi nuk ngurroi të lexojë letërsi të ndryshme botërore për të zbuluar inserte shqiptare nga kultura të ndryshme, Në mungesë të kohës, ai e përfundon bisedën e këndshme me një histori amerikane që gjason të jetë e vërtetë. „Sipas dokumentacioneve të shkruara e të zbuluara nëpër bibliotekat e Alaskës, ekziston një rast unik në historinë e Alaskës, kur Alaska ishte e okupuar nga forcat ruse, ato i shfarosnin fshatra të tërë, ndërsa një fshat nuk u prek fare, duke iu falënderuar një prijësi shqiptar (pasi emri dhe mbimeri i tij nuk kishte të bëjë asgjë me gjuhën ruse) me emrin Adrian, mbiemri i të cilit nuk më kujtohet. Jam i bindur se bëhet fjalë për ndonjë prijës shqiptar nga emigrantët e atëhershëm shqiptarë të Ukrainës apo Rusisë“, përfundon Nijazi Musliu, duke u përshëndetur me një përqafim të ngrohtë e vëllazëror.