Reagime pas vendimit të Qeverisë zvicerane për karantinë pas pushimit
Në Zvicër jetojnë rreth 200,00 kosovarë. Vendlindja e tyre gjithashtu ka aterruar në listën e vendeve të rrezikut. Valentina Smajli nga Lucerni është e gjeneratës Secondos dhe e rrjetëzuar mirë me diasporën kosovare në Zvicër. Pandemia mund të jetë një arsye për të hequr dorë nga pushimet në shtëpi, thotë ajo.
Ajo gjithashtu vëren se në vend të avionit shumica po i përdorin veturat. Rreziku i infkesionit mbetet edhe më tej. „Unë i bëj thirrje ndjenjës së obligimit dhe përgjegjësisë personale të të tjerëve“, shkruan „Aargauer Zeitung“, transmeton Shtegu.com.
Juristi shqiptar Lirim Begzati nga Neuchateli: „Deri para disa ditëve, rekomandimi i Qeverisë zvicerane kufizohej në vlerësimin se vetëm nevojat urgjente mund të arsyetojnë shkuarjen në pushime jashtë vendit.
Sot shkohet sadopak më larg. Mirëpo nëse qëndrimi vlerësues i Qeverisë është tani më i ashpër, sidomos pas futjes së disa vendeve ballkanike në listën e shteteve me rrezik më të lartë të infektimeve, kjo nuk duhet të interpretohet assesi si një ndalesë absolute për shkuarje në vendlindje, apo në pushime jashtë Zvicre.
Gjendemi pra përballë rekomandimeve dhe sugjerimeve.
Shumë çështje varen, përveç tjerash, edhe nga situata personale e çdo individi (ajo profesionale, gjendja shëndetësore, etj.) Kuptohet se me masat e reja të Qeverisë, janë shtuar disa faktorë dekurajues për shkuarje në pushim në disa vende tona. Futja në karantinë në momentin e kthimit, siç duket është ajo e cila bënë më së tepërmi bujë. Frika që të mos humbet vendi i punës i shtohet gjithashtu listës së faktorëve që i frenojnë projektet e pushimeve në vendlindje.
Megjithatë, nuk ka vend për panik apo dramatizim të tepruar të gjërave.
Nuk do të ishte aspak e drejtë të thuhet se marrë parasysh masat e reja të Qeverisë zvicerane, nuk duhet aspak të shkohet në vendlindje.
Ajo që mbizotron mbi të gjithat është se kujdesi që duhet treguar në kuadër të masave të parandalimit, vlen si për në Zvicër ashtu edhe në vendet tona“, ka deklaruar enkas për Shtegu.com juristi Lirim Begzati nga Neuchateli.
Frika nga largimi nga puna
Blerim Shabani është kryeredaktor i albinfo.ch. Portali në internet informon diasporën në gjuhën shqipe, gjermanisht dhe frengjisht. Është shkaktuar një tronditje e madhe për faktin se Kosova tani konsiderohet një zonë rreziku. „Derisa u vendos të merrej ky vendim, njerëzit kishin shpresa se pushimet në vendlindje do të funksiononte disi si zakonisht“, thotë Blerimi.
Ai supozon se shumë do të heqin dorë nga veprimi i tillë, sepse mbetet opsion edhe Shqipëria, ku bashkatdhetarët tanë nga Zvicra i kalojnë pushimet e verës. Disa gjithashtu kanë frikë se karantina mund t’u shkaktojë atyre probleme me punëdhënësit, në rastin më të keq madje edhe një largim nga puna.