08:55:46 2016-01-06
Një raper kosovar, për festat e Vitit të Ri ka publikuar një video, në të cilën shihet duke shtënë me armë në ajër. Të shtënat gjatë festave janë traditë, ka pohuar i riu.
Raperi kosovar Mërgim «Tenka» Tolaj, nga Bazeli në Zvicër, i cili njihet edhe me nofkën artistike „Big Papi“, më 1 janar ka postuar në instagram një video, në të cilën shihet duke shtënë disa herë me armë në ajër. „Gëzuar Vitin e Ri“, ka shkruar i riu pranë videos. Një video të ngjashme ai e kishte postuar edhe në fund të muajit shtator gjatë një feste.
Një lexues i „20 Minuten“, ka pohuar se videoja është incizuar në Zvicër. Një gjë të tillë e kundërshton Tolaj, duke thënë se videoja është incizuar gjatë verës në vendlindjen e tij në Deqan: „Kemi qenë duke festuar gjatë një dasme dhe me këtë rast kam shtënë me pistoletë. Kjo është traditë e jona, e përse jo? Thjeshtë, këto janë të shtëna gëzimi“, ka deklaruar Mërgimi, njofton „Shtegu.com“.
Ai ka mohuar se me këto të shtëna mund të qëllohet padashje ndokush, pasi ai nuk ka shtënë në turmë njerëzish, e as në qytet. Përpos kësaj, Mërgimi ka pohuar se pistoleta në fjalë nuk është e vërtetë, por që bën zhurmë sikur të jetë e vërtetë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i policisë kantonale të St. Gallen, Hanspeter Krüsi, ka deklaruar se në video shihet qartë një armë nga e cila dalin gëzhojat e plumbave, qoftë ajo e vërtetë apo vetëm për të frikësuar.
Për traditën e Mërgimit që gjatë gëzimit të përdoret arma në ajër, ka reaguar edhe drejtori i për preventivë kriminale të Zvicrës, Martin Boess, i cili pohon: „Të festosh me një armë për të shprehur gëzimin, është hap i rrezikshëm, por edhe i ndaluar. Një armë duhet të gjendet në duart e një personi të profesionalizuar me leje përkatëse“.
Kjo traditë në Kosovë shkakton për çdo vit shumë viktima.
http://www.20min.ch/videotv/?vid=469586&cid=3

