Qytetarët sirianë në Madaja hanë barë, mace dhe qenë
09:11:06 2016-01-07
Në qytetin e rrethuar sirian Madaja, mijëra personave është duke u kërcënuar uria. Tashmë, në internet janë duke qarkulluar fotografi të tmerrshme.
Ndihmat e fundit në qytetin e rrethuar nga forcat qeveritare, në perëndim të Sirisë, kishin arritur në muajin tetor, ka deklaruar një zëdhënëse e Programit botëror të ushqimit . Mediet lokale dhe aktivistët kanë informuar për gjendje të tmerrshme në qytet. Ueb faqja e TV „Al-Jazeera“ ka informuar se vetëm gjatë muajit dhjetor, në këtë qytet rreth 25 kilometra në veriperëndim të Damaskut, kanë vdekur 31 persona, njofton „Shtegu.com“. Në disa foto të paverifikuara shihen trupa plotësisht të dobësuar dhe të pafuqishëm.
Një mjek nga Madaja, Agjencisë DPA i ka deklaruar se njerëzit atje janë duke u ushqyer me barë, për të improvizuar sadopak ushqim për trupin. Përpos kësaj, para disa ditësh, ata kanë filluar të hanë edhe mace dhe qenë. Por, këto informata të mjekut ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Kamionët me ndihma humanitare tashmë janë në gjendje gatishmërie, ka deklaruar zëdhënësja e ëFP-së, Bettina Lüscher. Pritet që palët në konflikt të mundësojnë transportin e tyre.
Sipas informatave të Qendrës vëzhguese siriane për të drejtat e njeriut, qyteti Madaja është rrethuar nga forcat e regjimit dhe Hizbollahut tashmë 170 ditë. 40.000 persona, prej tyre gjysma civilë, për momentin janë duke jetuar në qytet, i cili për shkak të vendndodhjes së kryengritësve shpeshëherë është bomarduar.