Gazetarja zvicerane: Kallashnikovë shqiptarë vrasin nëpër Europë (VIDEO)
07:16:55 2016-01-06
Televizioni francez „Canal +“ ka emetuar një film dokumentar për „hetimin special“ i cili ka zbuluar se si trafikohen kallashnikovët (pushkët automatike A-47), nga Shqipëria në Francë, e të cilët kanë qenë të shfrytëzuar në sulmin mbi redaksinë e javores „Charlie Hebdo“, si dhe në sulmet e fundit terroriste në Paris, me ç`rast u vranë 130 persona.
Filmi i gazetares zvicerane Vanina Kanban, me titullin „Rruga e kallashnikovit“ flet për ate se çfarë janë kallashnikovët, të cilët paraprakisht ishin shfrytëzuar eksluzivisht në arenat e luftës, ndërsa aktualisht mund të gjenden në sasi të mëdha nëpër gjithë Europën.
Për tu infiltruar në disa grupe terroriste, në prill të vitit 2014, Vanina Kanban kishte arritur në Shqipëri dhe personalisht e kishte zgjedhur rrugën e kallashnikovëve nga Shqipëria për në Europë.
Pas arritjes në Shqipëri, ajo ishte takuar me tregtarë armësh dhe me ata të cilët këto armë i kanë transportuar nëpër vendet e Europës Perëndimore. Njërin nga trafikantët, gazetarja e ka pyetur nëse ai është i vetëdijshëm se kjo armë në Europë vretë njerëz, ndërsa ky i është përgjigjur se e gjitha kjo është vetëm biznes.
Gjatë rrugës, trafikanti e kishte lutur që nëse policia i ndalon, ajo do të duhej të deklaronte se janë duke incizuar reportazh për plazhet dhe turizmin në Shqipëri dhe nëse ia konfiskojnë kamerën, do të duhet ta fshehë kartelën e memories në rrobet e poshtme, pasi nëse zbulohen „do të ngelin pa kokë“.
Në intervistën të cilën Vanina Kanban e ka realizuar me personin që furnizonte me kallashnikovë, asaj i është thënë se nga kjo tregti ai përfiton diku rreth 25 mijë euro në vit dhe se frikësohet ta bëjë këtë punë, por se nuk ka tjetër mënyrë për të mbijetuar.
Reportazhi publikon dëshmi të rëndësishme për luftën kundër terrorizmit dhe kontrollin e armëve, komentojnë mediet franceze, njofton „Shtegu.com“.