21:33:53 2017-02-23
Një kosovare e cila në Zvicër ka kërkuar azil, para se të dëbohej është paralajmëruar nga përkujdesësi i saj. Ajo arratiset menjëherë dhe më pas martohet me te. Tashmë, përkujdesësi zviceran ka dalur para Gjykatës.
Pasi një grua në Kosovë ishte përdhunuar dhe kishte mbetur shtatzanë, vendosë të arratiset në Zvicër. Përdhunuesi e kishte kërcënuar me vdekje po që se diçka do të zbulohej. Në Zvicër ajo parashtroi disa kërkesa për azil, por të gjitha iu refuzuan. Në verë të vitit 2015 ajo është dashur të dëbohet dhe të kthehet në Kosovë. Atje, fëmija i jashtligjshëm llogaritet si turp, prandaj familja e kishte dëbuar nga shtëpia.
Por, siç shkruan „Aargauer Zeitung“ përkujdesësi i kosovares nga qendra sociale zvicerane, një ditë më parë kishte shkuar në qendrën e strehimit dhe e kishte paralajmëruar kosovaren se duhet të largohet, pasi do të dëbohej, përcjellë „Shtegu.com“. Gruaja kosovare e merr fëmijën e saj dhe arratiset.
Tashmë, përkujdesësi ka dalur para Gjykatës zvicerane dhe ka deklaruar se ka pasur një „konflikt të rëndë me ndërgjegjen“, pasi në Kosovë gruaja ka qenë e rrezikuar nga babai i fëmijës. Ai ka pohuar se vetëm ka dashur të mbrojë nënën dhe fëmijën.
Azilkërkuesja është e traumatizuar rëndë, por ai nuk kishte biseduar lidhur me përjetimet e saj. Deri në ditën e dëbimit, ai kishte pasur qëndrim profesional ndaj saj.
Pasi gruaja ishte zhdukur, që të dy janë vërejtur sërish së bashku duke shetitur, pirë kafe apo tek i akuzuari në shtëpi. Më pas azilkërkuesja ishte kthyer në Kosovë, ku kishte jetuar me frikë dhe tmerr. Por, ajo sërish kthehet në Zvicër, së bashku me të bijën dhe ish përkujdesësin e saj, me të cilin nga fillimi i muajit shkurt është martuar.
Të gjitha palët në Gjykatë vlerësuan se zvicerani nuk ka bërë ndonjë vepër penale, por se ka shkelur sekretin zyrtar. Me këtë rast, ai është dënuar me dënim me kusht në të holla prej 3.500 frangash zvicerane.


