Njëzet vite në ilegalitet, por Mensuri nga Maqedonia ia doli të pajiset me vizë B

62 Lexime

22:49:08               2017-02-24

 

 

 

 

Personat pa lejeqëndrim të rregullt duhet të largohen nga territori zviceran, por me aplikimin e tyre në raste të rënda, mund të kenë sukses. Njësoj sikurse rasti i shqiptarit 50-vjeçar nga Maqedonia, Mensur Seferi.

 

 

 

Mos bie në sy, gjithnjë të udhëtosh me tren me një biletë të vlefshme dhe mos u involvo në zënka. Këto janë rregullat kryesore të personave pa dokumentacion të rregullt në Zvicër. Në çdo moment, policia zvicerane mund të realizojë kontrolle të personave dhe të kërkojë dokumentacion identifikimi.

 

 

 

Po të hetojë ndonjë person ilegal, atij i kërcënohet dëbimi. Disa nga ta vijnë në Zvicër me një vizë udhëtimi­ legalisht në Zvicër. Pas skadimit të afatit të vizës, ata qëndrojnë edhe më tej në vend.

 

 

 

Por, ka edhe persona të cilëve u shkon përdore që të qëndrojnë në ilegalitet me vite të tëra. Për shembull rasti i shqiptarit 50-vjeçar nga Maqedonia, Mensur Seferi. Si i ri, ai i kishte filluar studimet ekonomike në Prishtinë, të cilat i ndërpreu pas gjashtë muajsh për shkak të kushteve financiare.

 

 

 

Për herë të parë në Zvicër ai erdhi si punëtor stinor në vitin 1990, ndërsa për gjashtë vite me radhë arriti të pajiset me lejeqëndrim të stinorëve. Mensuri punoi në një kantier në Cyrih. Në vitin 1996, atij i ndërpritet kontrata dhe u detyrua që të kthehet në Maqedoni. Por, këtu nuk mundi të depërtojë në tregun e punës.

 

 

 

Pas kësaj, ai vjen sërish në Zvicër, në kantonet Bern dhe Cyrih. „Gjatë 20 viteve të fundit, unë nuk jam larguar nga Zvicra pasi kisha frikë se nuk mund të hyjë sërish brenda“, pohon Mensuri për të përditshmen zvicerane „Berner Zeitung“, njofton „Shtegu.com“. Ai është ulur në një restorant të kryeqytetit helvet dhe rrëfen historinë e tij. Duke dashur të mos bie shumë në sy, Mensuri gjithnjë i kishte ndërruar banesat, herë te shokët e herë të shumë farefisë të tij në Zvicër, mundësisht jo larg vendit të tij të punës.

 

 

 

Mensuri më tej vazhdon: „Nuk është ndonjë jetë e lumtur të cilën e kam bërë, pasi gjithnjë më shoqëronte frika. Isha i detyruar që të kujdesem për të mos u sëmurë, pasi nuk mund të përballoja që të shtrihem në spital. Por, fati më shoqëroi gjatë gjithë kësaj kohe, sepse shëndeti nuk më tradhëtoi, ndërsa ndonjë grip të vogël mund ta shëroja personalisht, duke blerë barëra në barnatore.

 

 

 

Por, si ka mbijetuar deri më tani? „Punoja në çdo moment që më paraqitej rasti. Kontrata me shkrim nuk kam pasur asnjëherë“, pohon më tej. Shumica e punëdhënësve i kishin thënë se nuk guxojnë të punësojnë persona ilegalë. Por, shefat gjithnjë kishin qenë korrekt me te duke e paguar me rregull. edhe pse ndoshta ndonjëherë ka punuar edhe për 15 franga në orë, pohon Mensuri me profesion gurëgdhendës.

 

 

 

Megjithatë, ai fitonte mjaftueshëm të holla për ta përkrahur familjen e vet në Maqedoni. Është i martuar me një shqiptare dhe kanë dy fëmijë të moshës 26 dhe 22-vjeçare. Familja asnjëherë nuk ka jetuar në Zvicër, por kohëpaskohe e ka vizituar Mensurin. „Faktikisht, unë nuk i kam parë fëmijët të rriten, por kam mundur t`i përkrahë financiarisht dhe ata studiojnë në Maqedoni“, shton Mensuri.

 

 

 

Me kalimin e viteve, jeta në ilegalitet e lodhi, prandaj vendosi t`i drejtohej organizatës përkatëse që rasti i tij të trajtohej si rast i rëndë. Në vitin 2013, për herë të parë e vizitoi Shoqatën „Beratungsstelle für Sans-Papiers“ dhe pyeti se çfarë duhej bërë që të mund të qëndronte në Zvicër.

 

 

 

Marianne Kilchenmann. Sans Papier Beratungsstelle, Bern © Valerie Chetelat
Marianne Kilchenmann

 

 

 

„Në fillim i thonim gjithnjë: `Do të jetë rëndë për ty që të rregullohen dokumentet`“, deklaron Marianne ­Kilchenmann, e cila është ulur pranë Mensur Seferit. Udhëheqësja 60-vjeçare e shoqatës nga Berna „Beratungsstelle für Sans-Papiers“ e kishte këshilluar për 12 vite me radhë Mensurin duke u angazhuar për të drejtat e tij.
Mensur Seferi u vendosë në listën e rasteve të rënda. „Në këtë listë e vendosim ndonjë rast i cili vërtetë ka gjasa reale për të ngadhënjyer dhe nuk duhet të jepen të dhëna të cilat nuk sjellin asgjë““, pohon Marianne Kilchenmann. Me Mensurin ajo kishte zhvilluar biseda të gjata me orë të tëra, ndërsa ai i kishte rrëfyer për jetën e tij, se si i fiton të hollat dhe ku banonte. Më në fund u përpilua një raport prej dhjetë faqesh.

 

 

 

Ky raport arriti në policinë për të huajt në Bernë në dhjetor të vitit të kaluar. „Ai i cili e parashtron një kërkesë për raste të rënda, rrezikon shumë“, spjegon Kilchenmann. Autoriteteve duhet tu paraqitet haptas identiteti i parashtruesit, ndërsa në rast të refuzimit, atij i kërcënohet dëbimi. Me këtë rast paraqitet edhe rreziku për kallëzim penal ndaj punëdhënësve, pasi ata kanë punësuar persona të cilët nuk kanë leje pune.

 
Por, pa dëshminë e parashtruesit se gjatë viteve të fundit ai ka punuar dhe se mund të përkujdeset personalisht për vetveten dhe nuk do të bëhet rast social, parashtresa nuk mund të ketë sukses. Vitin e fundit, Kilchenmann kishte parashtruar gjithsej 23 kërkesa dhe të gjitha ishin miratuar.

 
Gjatë muajit janar të këtij viti, Mensuri e fitoi lejeqëndrimin humanitar. „Dosja e Mensurit është shqyrtuar në kuadër të rasteve të rënda individuale dhe jemi bindur se bëhet fjalë vërtetë për një rast të rëndë“, ka pohuar udhëheqësi i policisë për të huajt në Bernë Alexander Ott.

 

 

 

Me këtë rast është dëshmuar se Mensuri ka qëndruar në Zvicër me vite të tëra, duke u përkujdesur personalisht për vetveten, duke u integruar në shoqëri dhe duke mos kryer delikte apo vepra penale.

 

 

 

Nga ana tjetër, Mensuri pohon: „Për mua është realizuar një ëndërr e madhe“. Zvicra për te është një vend i preferuar. „Çdo gjë e dua këtu, kulturën dhe njerëzit e sinçertë“. Si mysliman, ai gjithnjë veten e kishte ndjerë të mirëseradhur. „Por, jeta ime ka qenë shumë e rëndë. Isha i vetmuar këtu, pa familje“, vazhdon Mensuri me emocione. Me vizën B ai tani mund të lëvizë gjithkah i lirë nëpër Zvicër.

 

 

Për momentin, ai është duke mësuar gjihën gjermane, në mënyrë që të kyçet më lehtë në tregun e punës. Nga tani, ai do të udhëtojë rregullisht në Maqedoni për të vizituar familjen, e cila dëshiron të qëndrojë në Maqedoni.