Profesoresha gjermane urdhëron studenten ta heqë shaminë, por pëson disfatë

52 Lexime

17:15:38             2017-10-27

 

 

 

Para se të fillojë me ligjëratat, profesoresha gjermane për politikë, Gisela Müller-Brandeck-Bocquet ka urdhëruar studemtët e saj që të heqin mbulesat mbi kokë. Përderisa kaçketat dhe kapelat e ndryshme janë futur nëpër çanta, një studente nëntëmbëdhjetëvjeçare me prejardhje turke ka refuzuar ta heqë shaminë e saj.

 

Pas vërejtes së vendosur të profesoreshës se në Gjermani ekziston ndarja në mes të shtetit dhe kishës, situata eskalon. Përkundër bindjeve të docentes se universiteti është një hapësirë sekulare dhe se pikëpamjet fetare nuk kanë vend në te, studentja ka këmbëngulur për të mbajtur shaminë.

 

Sipas saj, Gjermania është vend demokratik që i garanton të drejtat themelore të lirisë së besimit fetar. „Është vendimi im personal. Askush nuk më detyron, bile as edhe prindërit e mi“, ka kundërshtuar studentja në një artikull të shkruar nga „Augsburger Allgemeine“, përcjellë „Shtegu.com“.

 

Pasi shumë studentë u vendosën në përkrahje të studentes myslimane, profesoresha gjermane e ndërpreu për dhjetë minuta ligjëratën. Pas kësaj kohe, ajo e vazhdoi mësimin, duke injoruar mbulesën e kokës për periudhën e mbetur.
E gjithë kjo ka përfunduar me epilog, pasi dekanati i fakultetit ka njoftuar lidhur me lirinë e besimit fetar, ndërsa profesoresha gjermane është dashur ta shprehë qëndrimin e saj: „Tashmë disa vite jam përkujdesur që ta rregulloj problemin e mbulimit të kokës, në shenjë respekti për ligjëratën universitare dhe për mua personalisht, si profesoreshë ligjëruese“.

 

Në ndërkohë, profesoresha mohon ta ketë urdhëruar studenten që ta heqë shaminë. Nga ana tjetër, Partia gjermane e gjelbër gjermane nga Würzburgu, veprimin e saj e ka quajtur „ofendim publik“. (Shtegu.com)