Kosovari akuzohet se ka djegur veturën e shtrenjtë njëqind mijë franga
13:40:35 2017-10-28
Në Gjykatën për krime të rënda në Lucern të Zvicrës është gjendur një kosovar, i cili akuzohet se ia ka vënë flakën veturës së vet personale. Me këtë veprim, ai ka dashur të lirohet nga kontrata e marrjes me qera të veturës.
Mbrëmjen e Vitit të Ri 2014, një veturë e llojit „BMW“ është djegur në një garazh, duke u shkatërruar tërësisht. Pronari i saj, një kosovar 25-vjeçar nga rrethina e Lucernit është akuzuar se ai ia ka vënë flakën veturës së shtrenjtë 99.000 franga zvicerane. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Lucernit, ai e ka bërë këtë veprim me qëllim që të lirohet nga kontrata e marrjes me qera (leasing) të veturës. Gjithnjë sipas akuzave, kosovari ka pasur borxh rreth 50 mijë franga, ndërsa ka ngecur prapa me pagesën e qerasë.
Për vënie të qëllimshme të zjarrit, Prokuroria ka kërkuar 4 vite dënim me burg, pasi: „I akuzuari, me vetëdije të plotë e ka vënë në rrezik jetën e banorëve. Motivi për tu liruar nga kontrata e qerasë me shkaktimin e zjarrit, është dëshmi e qartë për energji të madhe kriminale. Përveç kësaj, ai nuk është i vetëdijshëm dhe nuk pranon“. Zjarri është shpërndarë në veturat e tjera përreth, duke dëmtuar ato dhe objektet, thuhet më tej në aktakuzë, shkruan „Luzerner Zeitung“, përcjellë „Shtegu.com“. Edhe shkallët e ndërtesës për banim që kanë qenë të ndërlidhura me garazhin, janë prekur nga tymi i rëndë, ndërsa 13 persona është dashur të kontrollohen nga problemet me frymëmarrjen.
I akuzuari, një person me trup atlet, me flokë të shkurtër, është ulur i qetë para trupit gjykues. Pyetjeve të gjykatësve u përgjigjet me zë të lartë dhe qartë: „Unë qëndroj në deklaratat e mia, të cilat paraprakisht ua kam dhënë policisë dhe prokurorisë. Unë nuk e kam shkaktuar zjarrin dhe nuk kam të bëjë asgjë me këtë rast“. Asaj mbrëmjeje, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, ai ka qenë tek prindërit, të cilët jetojnë në të njëjtën komunë. Që të gjithë kanë darkuar së bashku, e më pas kishin ndezur ca mjete piroteknike. Me këtë rast, ai dy herë ka shkuar të blejë cigare. Një herë për vete dhe një herë për nipin. Mu në këtë periudhë është shkaktuar zjarri. Sipas prokurorit, të akuzuarit për këtë kohë i mungon alibi. Ai e akuzon kosovarin se familjen e vet e ka dërguar në vend të sigurt, para se t`ia vinte flakën veturës.
Pala mbrojtëse nuk i ka pranuar akuzat e prokurorit, duke i quajtur ato si „ëndrra të bukura“ dhe pa kualitet për të bindur ndokend. Për të akuzuarin, avokati mbrojtës ka kërkuar lirim nga akuzat, pasi mandanti i vet nuk ka pasur arsye për të djegur veturën e tij. Nga ana tjetër, ekziston mundësia që veturën ta ketë djegur ndokush tjetër. Vendimi gjyqësor do tu kumtohet palëve me shkrim. (Shtegu.com)