Sipërmarrja farmaceutike Lonza, është në vijat e para të luftës kundër koronavirusit. Grupi farmaceutik prodhon 400 milionë doza të vaksinës Moderna. Presidenti i tij ka dhënë deklaratë në shtypin gjermanfolës.
„Ne rrezikuam të fillojmë bashkëpunimin me Moderna pa ditur rezultatet klinike për vaksinën,“ tha Albert Baehny, presidenti i Lonza në një intervistë të botuar në Blick më 25 janar 2021.
Gjatë tre viteve të fundit, grupi farmaceutik ka punësuar më shumë se 1 000 punonjës në vendin e tij industrial në Visp, në Valisin e Epërm, transmeton Shtegu.com. Në vitet në vijim ai planifikon të krijojë edhe më shumë vende pune.
Albert Baehny përmend disponueshmërinë e lëndëve të para për prodhim. „Aktualisht, ne nuk shohim asnjë rrezik në këtë drejtim, megjithëse në të ardhmen nuk mund të përjashtojmë plotësisht mungesat“, shpjegon ai.
Lidhur me rreziqet e epidemive të reja në të ardhmen, presidenti i Lonza specifikon se do të ketë „pandemi edhe më të rrezikshme në të ardhmen, por, deri atëherë, ne duhet të mësojmë nga Covid-19 dhe të arrijmë të dalim prej saj sa më shpejt të jetë e mundur”.

