Politikani mysliman shqiptar: „Duhet t`i luftojmë ata të cilët e keqpërdorin fenë“
21:37:27 2016-11-02
Në një radio debat të emetuar në Radion shtetërore zvicerane „SRF“, politikani shqiptar mysliman i SP-së nga Winterthuri, Blerim Bunjaku ka folur lidhur me zhvillimet e fundit me rastin e bastisjes së Xhamisë „An‘ Nur“. Ai është bërë i njohur më guximin e tij për të luftuar radikalizmin tek të rinjtë, ndërsa aksionin e sotëm të policisë zvicerane e llogaritë si të vonuar.
„Jam i lumtur që më në fund u realizua bastisja“, ka pohuar Blerimi duke theksuar se imamët radikalë në Zvicër, nuk duhet të tolerohen.
Sipas tij, aksioni është dashur të realizohet shumë më herët. „Mu zbardhën flokët, është dashur shumë kohë që të ndodhë kjo bastisje. Po të kishte informata më të hershme do të dihej se çfarë është duke u zhvilluar në xhami“. Me këtë pohim, ai ka aluduar tek të rinjtë që udhëtojnë për në xhihad dhe të cilët radikalizohen në Xhaminë „An`Nur“.
„Besoj se tani Prokuroria ka mjaft dëshmi në mënyrë që të ecë përpara dhe për të vendosur një rend në Zvicër. Duhet të tregojmë se një gjë e tillë nuk mund të vazhdojë. Ne duhet gjithashtu të tregojmë se kemi mundësi ta mbyllim një shoqatë të tillë dhe të arrestojmë persona“.
Përse shumica e myslimanëve nuk thonë asgjë për keqpërdorimin e fesë së tyre? „Këtu ekzistojnë shumë faktorë. Njëra ndër arsyet kryesore është se myslimanët e moderuar frikësohen të marrin masa kundër radikalistëve. Por, edhe kultura dhe mentaliteti luajnë një rol të rëndësishëm“.
Edhe Blerimi e ka paguar çmimin e angazhimit të vet kundër radikalizimit në Xhaminë „An`Nur“, pasi ka pranuar kërcënime me vdekje. „Unë dhe familja ime ishim cak i radikalistëve, na kërcënuan, ndërsa ne u frikësuam“.
Politikani shqiptar është duke luftuar që feja islame të zyrtarizohet. „Në këtë mënyrë, qyteti apo kantoni do të kenë më tepër mundësi që ta kenë situatën nën kontroll“, deklaron Blerimi për „SRF“, njofton „Shtegu.com“. „Të gjithë ata që e keqpërdorin besimin duhet t`i luftojmë. Edhe myslimanët e moderuar tani duhet të ndërmarrin diçka“, përfundon Blerim Bunjaku.