Policia zvicerane arreston dy shtetas maqedonas „në të zezë“
19:48:28 2017-03-29
Autoritetet hetimore të Kantonit të Zugut në Zvicër, në bashkëpunim me Entin zviceran të Ekonomisë dhe Punës, kanë realizuar një kontroll nëpër kantiere, me ç`rast në Walchwil kanë arrestuar dy punëtorë „në të zezë“. Që të dy janë gjykuar plotfuqishëm dhe duhet të largohen nga territori zviceran.
Të enjten, më 23 mars të këtij viti, autoritetet përkatëse zvicerane kanë realizuar një kontroll në një kantier në Walchwil. Gjatë legjitimimit, dy shtetas 26-, dhe 30-vjeçar maqedonas, kanë tentuar të arratisen. Por, vetëm disa metra më larg, ata janë ndaluar. Me këtë rast, është dëshmuar se dy shtetasit e Maqedonisë kanë qëndruar ilegalisht në Zvicër dhe nuk kanë qenë të pajisur me leje përkatëse të punës, thuhet në një komunikatë të Prokurorisë, përcjellë „Shtegu.com“.
Prokuroria e Kantonit të Zugut i ka dënuar plotfuqishëm që të dy, duke i dënuar edhe me të holla. Atyre u është shqiptuar dënimi për tu deportuar menjëherë nga Enti zviceran i Migrimit, ndërsa u është ndaluar hyrja në territorin zviceran dhe shtetet e Schengenit në një afat prej tre vitesh. Deportimi i tyre do të realizohet brenda kësaj jave.
Edhe punëdhënësit përkatës ty tyre do të përgjigjen para Prokurorisë përkatëse, për shkelje të Ligjit për të huajt.
Informata të tjera mund të merren gjatë orarit të punës tek Judith Aklin, zëdhënëse e organeve përkatëse hetimore të Kantonit të Zugut.