Plagoset rëndë një shtetas maqedonas në Gjermani
17:08:58 2017-10-08
Para një lokali të lojërave të fatit në Düsseldorf të Gjermanisë, natën në të diel është plagosur rëndë një shtetas 25-vjeçar maqedonas. Policia gjermane menjëherë ka filluar kërkimin për gjetjen e sulmuesit të dyshuar me forca të shumta policore, mirëpo deri më tani, pa sukses. Ajo është në kërkim të tre deri katër sulmuesve.
Sipas të përditshmes gjermane „Express“, në mes të sulmuesve të panjohur dhe shtetasit maqedonas është zhvilluar fillimisht një zënkë verbale, përcjellë „Shtegu.com“. Pasi zënka më tej ishte zhvendosur në rrugë, së paku njëri nga sulmuesit ka shtënë me disa plumba në drejtim të njëzetepesëvjeçarit, pak para orës 04.00 të mëngjesit. Më në fund, sulmuesit arratisen, ndërsa policia nuk ka arritur të gjejë ende asnjë gjurmë të tyre.
Me disa plumba në trup, shtetasi maqedonas ka arritur të kthehet në lokalin e mëparshëm, duke alarmuar ambulancën e cila e ka dërguar në spital. Por, ai gjendet jashtë rrezikut për jetë. Shtetasi maqedonas është goditur në pjesën e pasme të këmbës dhe prapanicës.
Policia gjermane e Düsseldorfit është duke bërë kërkime në „mjedisin e përgjithshëm kriminel“, për shkak të shkaktimit të lëndimeve trupore. Para lokalit janë gjetur disa gëzhoja të plumbave. Tani, policia gjermane për krime është në kërkim të dëshmitarëve të cilët e kanë vëzhguar situatën. (Shtegu.com)