Trembëdhjetë vite burg shqiptarit që vrau një bashkëkombas dhe plagosi dy të tjerë
18:24:57 2017-10-08
Shtetasi shqiptar Benard Dino, të mërkurën është dënuar me 13 vite burg. Nga Gjykata belge ai është shpallur fajtor për vrasje, si dhe për tentim vrasje. Por, shqiptari i dënuar ka kaluar me disa rrethana lehtësuese.
Gjykata belge e Brukselit, pasditen e së markurës e ka dënuar shtetasin shqiptar Benard Dino me 13 vite burg. Shqiptari 36-vjeçar është shpallur fajtor për vrasje, tentim vrasje si dhe shkaktim të lëndimeve trupore mbi tre bashkëkombas të tij, ngjarje kjo që ka ndodhur në Ixelles, në muajin prill 2014. Trupi gjykues ka marrë parasysh dy rrethana lehtësuese ndaj tij: Mungesa e një procesi gjyqësor në Belgjikë dhe konteksti sipas të cilit është kryer vepra.
Gjykatësit gjithashtu kanë pasur parasysh edhe peshën e rëndë të fakteve, mospranimin e fajësisë për integritetin e të tjerëve dhe arratisjen e tij nga vendi i ngjarjes që nuk justifikohet aspak.
Duke pasur parasysh këto fakte, Gjykata e dënoi Benard Dinon me 13 vite burg, për vrasjen e Ermir Bodurrit, përpjeke për vrasje të Ortiz Spahiut dhe për shkaktimin e lëndimeve trupore Leonard Mollas.
Benard Dino ishte akuzuar se më 28 prill 2014, rreth orës 23.30, në rrugën „Livourne“ në Ixelles ka therë tre persona. Njëri nga ta, Ermir Bodurri, ka ndërruar jetë pak kohë pas sjelljes së tij në spitalin „Saint-Pierre“ në Bruksel, në moshën 29-vjeçare. Edhe personi i dytë, Ortiz Spahiu ishte sjellë në spital me plagë të rënda, por ai u ka mbijetuar plagëve. Personi i tretë, Léonard Molla ka kaluar me lëndime të lehta, shkruajnë mediet belge, përcjellë „Shtegu.com“.
Pas akuzave të ndërsjella se vepra është kryer në vetmbrojtje, Gjykata përmes fakteve ka dëshmuar se Benard Dino veprën e ka kryer pasi ai ka qenë në konflikt me tre viktimat. (Shtegu.com)