NË VEND TË PËRKUJTIMIT – EKREM ISLAMI

182 Lexime

18:06:50                2017-10-07

 

 

 

Para dy javësh, diaspora shqiptare humbi një personalitet shumë të nderuar e të dalluar. Papritmas ndërroi jetë bashkatdhetari Ekrem Islami. Ai ishte nxënësi i Profesorit Mentas Allajbegu në klubin e mundjes, të cilin profesori Mentas e kishte formuar. Ekremi ishte edhe kampioni i parë nga dora e Profesor Mentasit, por njëherit ishte edhe kampioni më i ri në moshë në ish Jugosllavi (viti 1966). U shkollua në shkencat Inxhinieri Elektrike në Zagreb, punoi në Kosovë dhe Maqedoni deri sa u detyrua të shpërngulet në Zvicër. Jetoi pa zhurmë, me logjikë dhe buzëqeshje. Televizioni shtetëror zviceran “ RTS TV“ i kishte kushtuar një reportazh si njeriut që „bën dritë në tunelet e Zvicrës “ ( Sonia Zoran 05.08.2010 (http://www.rts.ch/la-1ere/programmes/comme-un-soleil/2293354-comme-un-soleil-du-07-08-2010.html#2293353) duke u impresionuar me kontributin e tij në ndërtimin e tunelit më të gjatë në botë.

 

Edhe kur ktheheshin punëtorët ai i argëtonte me saksofon. Ishte shqiptari nga Shkupi që fliste 9 gjuhë, luante në piano, flautë, kitarë, mandolinë etj. Me rastin e vdekjes së tij, publicisti nga Shkupi Xhabri Ahmeti ka shkruar: E humbëm këtë njeri dy herë: Herën e parë nuk e deshën institucionet e vendit, sepse ishte i urtë, profesionalisht i përgatitur, inxhinier i aftë, i kulturuar, fisnik dhe nuk hynte në asnjë kallëp të kombinimeve politike ballkanike të vendit. Asokohe e mori Zvicra, duke lënë këtu një boshllëk të madh në mesin e intelektualëve shkupjanë, por Zvicra e pasuroi vendin e vet me një njeri me duar të arta. Tash u largua përgjithmonë duke lënë një dhembje të papërshkrueshme ndër familjarët e vet dhe ndër miqtë e shumtë. Ai u largua, mirëpo mirësia e tij është skalitur në kujtimet më të mira të të gjithë atyre që e kanë njohur dhe që janë shoqëruar me të dhe si i tillë do të kujtohet si Ekremi zemërmirë, i buzëqeshur dhe humanist. I qoftë dheu i lehtë.

 

isl

 

 

Asokohe, gazetarja zvicerane Sonia Zoran ishte impresionuar nga prania e Ekremit në Tunelin e Gothardit, duke shkruar me sa vijon:

 

„Kur e kuptova se një person ishte përgjegjës për ndriçimin e galerive me mijëra metra nën shkëmbinjtë e Alpeve zvicerane, aspak nuk u brengosa. Por, kur e kuptova se bëhet fjalë për një shqiptar nga Maqedonia, i natyralizur në zviceran, por një zviceran i aftë të flasë 9 gjuhë të huaja, isha e bindur se si do shkëlqejë dielli i Gothardit. Atëherë, mu në mes të festave të 1 Gushtit dhe Festës kushtuar gropimeve në Gothard, paraqitet Ekrem Islami me angazhime të reja.
Ekremi, i cili ka braktisur Shkupin dhe ka punuar në ndërtimin e rrugëve automobilistike të Zvicrës, Ekremi i cili është bërë inxhinier elektrik dhe që sot mbikëqyrë jo vetëm dritat, por edhe kabllot e gjata me kilometra që sigurojn funksionimin e makinave dhe ventilatorëve pa të cilët njeriu nuk do të mund të jetonte në brendinë e Alpeve.
Ekremi poashtu i bie edhe saksofonit në kabinat për veshmbathje të puntorëve kur të kthehen nga fronti i punës. Pas Christian Krauer, ja edhe zotëri Islami, si gjithnjë i buzëqeshur. Njëri nga 2.000 minatorët, udhëheqës dhe specialist i shumë disiplinave, gërmon malin për të hapur tunelin më të gjatë hekurudhor të botës.