Plaçkitë dy milionë e gjysmë franga, serbi dënohet me gjashtë vite burg
05:00:13 2016-04-11
Një serb 34-vjeçar, gjatë vitit 2013 e kishte plaçkitur një filial të Bankës kantonale në Cyrih të Zvicrës, në qarkun e katërt, duke marrë me vete 2,5 milionë franga zvicerane. Të enjten ai është dënuar me gjashtë vite burg.
Gjykata e rrethit e Cyrihut, të enjten e ka dënuar një serb, për shkak të veprës penale „plaçkitje dhe tentim plaçkitje“ me gjashtë vite burg. Prej gjithë këtyre, ai i ka vuajtur tashmë 791 ditë në burg. Gjatë kësaj periudhe ai do t`i nënshtrohet një psikoterapie ambulantore për tu trajtuar kundër varësisë ndaj lojërave të fatit.
Serbi, i cili edhe paraprakisht ka qenë i dënuar, më 24 tetor 2013, në rrugën „Langstrasse“ të Cyrihut, kishte sulmuar një filial të Bankës kantonale të Cyrihut. Ai i kishte kërcënuar dy të punësuarit me një pistoletë të zbrazët duke plaçkitur 2,5 milionë franga zvicerane. Të hollat e plaçkitura i kishte futur në qese mbeturinash.
Po të njëjtën mbrëmje, sipas avokatit mbrojtës Valentin Landmann, ai e kishte humbur një shumë të konsiderueshme të hollash në kazinon e Cyrihut. Pas arrestimit të tij, në Kroaci, më 7 shkurt 2014, autoritetet zvicerane kishin mundur tu bien në gjurmë edhe 271.000 frangave të plaçkitura në një bankë në Novi Sad të Vojvodinës.
Gjatë hetimit ndaj tij, është dëshmuar se serbi edhe më 12 shkurt 2013 kishte tentuar të plaçkisë një filial të Bankës „Crédit Suisse (CS)“ duke kërcënuar të punësuarin me një bombë në formë gypi dhe duke kërkuar 800.000 franga. Por, falë refuzimit të të punësuarit, ai kishte dështuar duke u larguar pa të holla.
Përderisa Prokuroria për serbin e akuzuar kishte kërkuar dënim të lartë prej tetë vitesh burg, avokati Valentin Landmann ka pohuar se bëhet fjalë për një „plaçkitës xhentil të bankave“, duke kërkuar dënim prej katër vite e gjysmë burg.
Kërkesën e tij, ai e ka argumentuar me varësinë e klientit të tij ndaj lojërave të fatit, i cili me viktimat ka vepruar korrekt dhe me sjellje të mirë. Deri më tani, ai asnjëherë nuk kishte kryer plaçkitje me armë të mbushur me plumba.
Gjykata vendosi që të gjejë mesataren, duke i shqiptuar dënim prej gjashtë vitesh. Ajo nuk deshi të dëgjojë për termin „xhentil“, duke dëshmuar se bëhet fjalë për një plaçkitës me energji të lartë kriminele, duke iu shkaktuar viktimave frikë deri në palcë. Të punësuarit të CS bankës, Gjykata i ofroi një shumë prej 4.000 frangash si dëmshpërblim.
Serbi i dënuar, është rritur në Gjermani, ku gjithashtu kishte plaçkitur një bankë në vitin 2006 dhe ishte dënuar me shtatë vite e gjysmë burg.