Nxënësit 3 kilometra rrugë për të ndjekur mësimet në Hasanbeg të Shkupit (VIDEO)
01:18:50 2016-04-11
Çantat e shkollës me peshë 3 deri në 5 kilogramë dyfishojnë lodhjen e nxënësve të fshatit Gurishte ose e njohur si Kamenik të lagjes Hasanbeg, të cilët ecin në këmbë rreth 3 kilometra për të ndjekur mësimet në shkollën fillore “25 Maji” në hyrje të Hasanbegut. Në momentin e parë që mbërrijnë në shkollë ata ulen për të pushuar dhe më pas të koncentrohen në mësimet që do të zhvillohen në orët e planifikuara. Nxënësit ballafaqohen çdo ditë me këtë lodhje për shkak se transportin nuk e kanë të siguruar.
“Lodhemi shumë se rruga është shumë e gjatë për të shkuar në shkollë. Kur bie shi rruga bëhet shumë e keqe, me baltë bëhet shumë. Duhet ta kemi një minibus i cili na bart deri në shkollë”.
“Jam klasa e 4/1…Nisem në ora 12 e 20 por eci shpejtë. Për sa kohë mbërrin, mbërrij për 20 ose 30 minuta”.
“Jam klasa e 4. Ku jeton? Në Kamenik. A është larg të udhëtosh prej shtëpisë e deri në shkollë? Po. Për sa kohë mbërrin në shkollë? Për 45 minuta.
Fadil Murtezani, drejtor i shkollës “25 Maji” shprehu keqardhje për mungesën e transportit të nxënësve. Ai tha se komuna nuk ka miratuar asnjë nga kërkesat e tij për sigurimin e transportit me arsyetimin se matja që është realizuar në këtë vendbanim ka treguar më pak se 2 kilometra.
“Nuk është bërë matja prej liqenit, shtëpisë së fundit atje por është bërë prej stacionit e deri te qendra, edhe kur është bërë matja prej stacionit e deri te qendra e Gurishtes nuk i ka 2 kilometra. Por nga ajo pjesë është një numër i madh i nxënësve që vijnë. Kërkesë kemi bë, kemi biseduar me kryetarin e komunës mirëpo ai bazohet në ligjin se nuk ka më shumë se 2 kilometra që të bëhet transporti. Një pjesë të nxënësve i sjellin prindërit e tyre mirëpo shumicën prej tyre nuk kanë mundësi ti sjellin, nuk i kanë kushtet”, tha Fadil Murtezani, drejtor i sh.f “25 Maji’.
Përveç këtij problemi banorët e Hasanbegut dhe Gurishtës ballafaqohen edhe me mungesë të infrastrukturës.
“Rrugët aspak nuk bëjnë, dimrit kemi ujë ndërsa verës aspak, rrymë verës kemi e dimrit nuk kemi, këto probleme i kemi. Unë për vete kam hap një pompë në oborr, me të furnizohemi, dikush i mbush shishet natën e ditën i harxhon”.
“Nuk kemi çka t’ju tregojmë, vet po i shifni problemet, ato janë të qarta, nuk ka nevojë me pyet askend. Nuk ka çka nuk mungon këtu edhe pse është një lagje shumë afër qytetit edhe shumë afër lagjeve tjera i takon ti ketë të gjitha kushtet”
“Prej vitit 2005 e këndej asnjë gozhdë nuk është vendos prej kësaj qeverie. Pse mos ta lëshoj një autobus Koce Trajanovski kur nxënësit bëjnë rrugë 2 kilometra, shkojnë në shkollë ditën, natën”.
“Shumë problem, i prishëm edhe veturat e reja, nuk po merr masa askush, çka të bëjmë, ashtu do të durojmë. Jemi ankua por kurrgjë nuk kanë bërë, pritet se ndoshta do të bëhet më mirë”.
Hasanbegu numëron rreth 13 mijë banorë ndërkohë ka vetëm një shkollë fillore ku mësojnë mbi 1500 nxënës. Pavarësisht përpjekjeve tona, nga Komuna e Gazi Babës ishin të pakapshëm për televizionin tonë që të komentojnë ankesat e shumta të banorëve./Alsat-M/