Pesëdhjetë ballkanas ngujohen në dioqezën gjermane
17:07:03 2016-07-05
Pasi janë kërcënuar me dëbim, rreth 50 persona nga Ballkani janë ngujuar në Dioqezën „Regensburger Dom“ të Regensburgut. Ata kërkojnë të drejta për qëndrim për të gjithë.
Ata nuk kishin ditur më se si të veprojnë: 40 deri 50 persona nga Shqipëria, Koosva, Serbia dhe Maqedonia, që nga paraditja e së martës e kanë okupuar Dioqezën „Regensburger Dom“. Në mesin e tyre ka edhe disa fëmijë. Kërcënimi i autoriteteve gjermane për t`i dëbuar në vendet e origjinës i ka detyruar që të kërkojnë mbrojtje në dioqezë, shkruan „Mittelbayerische Zeitung“, njofton „Shtegu.com“. Në transparentet e tyre shkruan: „Të drejta për qëndrim për të gjithë“ dhe „Të gjithë romët do të qëndrojnë këtu“. Para dioqezës, tashmë është formuar një protestë solidare, me ç`rast protestuesit kanë mbajtur një tubim dhe u kanë shpërndarë artikuj ushqimorë personave në dioqezë.
Në qëndrimin e tyre të cilin ua kanë dërguar medieve lokale, thuhet: „Ne jemi duke u angazhuar që t`ju dëshmojmë se as Serbia, Maqedonia, Bosnja, Kosova, Shqipëria e as Mali Zi nuk janë shtete të sigurtë të origjinës. Për këtë, ky vendim duhet të tërhiqet. Disave nga ne u kërcënohet dëbimi, ndërsa të tjerët duhet të largohen që tani“.
Sipas zëdhënësit të demonstruesve, Isen Asanovski, një përfaqësues i dioqezës fillimisht kishte kërkuar që të largohen nga e njëjta dhe të demonstrojnë përpara dyerve të saj, mirëpo ata e kishin refuzuar një gjë të tillë.
Por, pasdite dioqeza ka dalë me një spjegim, në të cilin demonstruesve u ofrohet azil kishtar. „Dioqeza e Regensburgut është duke u angazhuar për ndihma dhe përkujdesje humanitare për këta njerëz“, thuhet në deklaratën e saj. Këtu bëjnë pjesë, mundësitë e bujtjes, higjienës, ushqimit, para së gjithash për fëmijët e shumtë. Së shpejti pritet të prononciohen edhe organet politke të vendit në lidhje me kërkesat e demonstruesve.