Vritet komandant Shqiponja
Përgjaket gara për kryetar të degës së BDI-së në Kumanovë. Sot pasdite është plagosur pretendenti kryesor për kryetar dege, Xhemail Rexhepi-Komandat Shqiponja me dy shokë të tij, njoftojnë mediet nga Maqedonia. Sipas informatave të para (ende të pasigurta), komandant Shqiponja ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Mwtutje, dyshohet se ata janë plagosur nga përkrahës të Bajram Limanit, që para një muaji u emërua kryetar dege drejtpërdrejtë nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Në këtë incident lëndime më të rënda në zemër ka marrë ish ushtari i UÇK-së, Shefki Rexhepi, i cili ka qenë bashkë me Komandant Shqiponjën. Ai është transferuar në qendrën klinike në Shkup. Incidenti ka ndodhur në një lokal afër fakultetit të USHT-së në Kumanovë, ku Rexhepi ëhstë dashur të takohet me Bajram Limanin, që të koordinohen lidhur me zgjedhjen e kryetarit.
Në këtë incident është plagosur edhe Gani Demiri, i cili ka marrë plagë në krah dhe në shpinë. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kumanovë, Valentina Nikollovska ka konfirmuar se përleshja e armatosur ka ndodhur në orën 15:30 në lagjen “Bedinje”, në afërsi të Fakultetit të USHT-së. “Gjatë përleshjes, në vendin e ngjarjes është ekzekutuar Xhemail Rexhepi, i datëlindjes 1970, ndërsa ka mbetur i plagosur Shefki Rexhepi, i lindur më 1977, ndërsa personat që kanë qëlluar drejt tyre, janë arratisur në drejtim të panjohur. Policia në ndërkohë është në kërkim të tyre dhe e njëjta në terren po zhvillon hetimet”, ka thënë shkurt Nikollovska. Ndryshe, Xhemail Rexhepi – Shqiponja ka qenë pretendenti më i përfolur për kryetar Dege i Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë, Degë kjo që për shumë se katër muaj, ka mbetur pa kryetar. Në vitin 2001, Xhemail Rexhepi ka marrë pjesë në luftimet e fshatit Sllupçan, ndërsa u bë i njohur në betejën e Mateçit, ku njësiti i tij i quajtur “Shqiponjat”, u dallua për aksione kundër forcave të sigurisë dhe ushtrisë së Maqedonisë.