Përderisa i gëzohemi nacionalizmit, vozitësit vullnetarë gjermanë gëzojnë fëmijët e varfër shqiptarë
11:44:38 2017-01-03
Thorsten Krauss dhe Markus Schwämmlein nga Coburgu i Gjermanisë, kanë udhëtuar gjithsej gjashtë ditë deri në Shqipëri, që për ndërrim të motmoteve të kthehen sërish në shtëpi, njësoj sikurse edhe 100 vullnetarët e tjerë të shoqatës së vozitësve për festa „Johanniter“, duke sjellë më vete përshtypje të paharrueshme dhe emocionuese. Rrugës për në Shqipëri, me kamionin e tyre dy vozitësit kanë udhëtuar më tepër se 3.500 kilometra, duke përshkuar shtatë vende: „Saktë, në ora 22.00 për festat e fundvitit ne ishim sërish në Coburg dhe arritëm të festojmë Vitin e Ri me familjarë dhe miq“, ka pohuar Thorsten Krauss. Së bashku me kolegët e tyre, ata në Shqipëri kanë shpërndarë më tepër se 7.800 pako, në vendin më të varfër europian. Ndërsa, gjithsej kanë shpërndarë 48.653 duke përfshirë këtu edhe Rumaninë dhe Bosnjen, me artikuj ushqimorë dhe higjienikë, për njerëz me nevoja të veçanta.
„Njerëzit na pritën shumë të lumtur. Për ta, këto artikuj janë një bekim i vërtetë“, ka informuar për „wiesentbote“ anëtari i shoqatës Andreas Hautmann, njofton „Shtegu.com“. „Është shumë rëndë të shihen se në çfarë kushtesh varfërie jetojnë shumica e familjeve, edhe ate mu në mes të Europës. Nuk mund të përshkruhet se sa i lumtur bëhet një fëmijë kur e pranon pakon me dhurata në duar“.
Të njëjtën gjë e vërteton edhe Thorsten Krauss: „Gjithnjë duhet të luftosh me emocionet, kur njerëzit gëzohen nga dhuratat tona. E gjithë kjo e kompenson udhëtimin dhe mundin e gjatë. Ai që e ka përjetuar një herë, është i vetëdijshëm se është duke vepruar drejt“.
Më në fund, vozitësit i falënderojnë të gjithë donatorët e këtij aksioni, duke premtuar se edhe vitin e ardhshëm do ta vazhdojnë këtë traditë më tepër se dhejtëvjeçare.