Pasagjerët e Prishtinës mund të fluturojnë sërish pa frikë
17:49:13 2019-06-17
Në fluturimin Prishtinë-Bazel, disa pasagjerë u tronditën aq shumë sa që më pas është dashur të dërgohen në spital. Sa, në të vërtetë janë të rrezikshme turbulencat?
Momente tronditëse për pasagjerët në fluturimin nga Prishtina në Bazel, më 16 qershor 2019. Menjëherë pas startit ka pasur turbulenca të rënda, ndërsa pas aterrimit në Bazel u lënduan dhjetë persona, të cilët janë dërguar në një spital në Bazel.
„Njerëzit filluan të bërtitnin dhe të qanin. Një stjuardesë me karrocën e saj e preku tavanin. Filxhanat e nxehtë u shkapërderdhën gjithandej, disa u djegën nga uji i nxehtë“, tha një dëshmitar rasti. „Isha i bindur se tani do të binim“.
Mirëpo, vallë a mund të rrëzohet një avion nga turbulencat e mëdha? Në këtë pyetje është përgjigjur Dr. Julien Anet, docent dhe menaxhues i meteorolgjisë, mjedisit dhe aviacionit në ZHAW, për „20 Minuten“, njofton Shtegu.com.
Për „20 Minuten“ ai ka pohuar se të dielën ishte formuar një stuhi e ashpër, disa qindra kilometra e gjatë. Piloti fluturoi rreth një qelize të stuhisë për të vazhduar të fluturojë jashtë rrezikut, në një ajër të qetë. Kjo mund të dëshmohet nga pista e fluturimit, e cila mund të gjurmohet në internet. Megjithatë, u shkaktuan turbulenca të forta.
„Një avion bashkëkohor mund të përballojë shumë. Është praktikisht e pamundur që një avion të rrëzohet ose të dëmtohet, për shkak të turbulencave. Avionët janë aq mirë të dizajnuar dhe të ndërtuar, sa që është e pamundur të imagjinohet një gjë e tillë“, ka qetësuar opinionin Dr. Julien Anet.
Ajo që është e rrezikshme janë udhëtarët që nuk janë lidhur ose objekte që shkapërderdhen. Personat e palidhur mund mund të përplasen në tavan nga turbulencat e mëdha ose udhëtarët mund të vuajnë nga djegiet me pije të nxehta.
Në pyetjen se çfarë do t`u rekomandonte udhëtarëve të fluturimit nga Prishtina, të cilët tani kanë frikë nga udhëtimi i ardhshëm i avionit, ai është përgjigjur:
„Unë do t`u sugjeroja që të fluturojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Ndoshta së bashku me ndonjë pasagjer me përvojë, që mund të flasë me ta dhe t’i qetësojë. Në shumicën e rasteve, frika nga fluturimi shkaktohet nga zhurma të ndryshme të panjohura ose lëkundje që nuk mund të spjegohen. Këto frika mund t`i kuptojë dhe spjegojë një person me përvojë. Në fund të fundit, përgjithësisht rekomandohet që të qëndroni të lidhur gjatë gjithë fluturimit“, ka përfunduar Dr. Julien Anet.